Çfarë është Maqedonia? Më saktë, çfarë paraqet Maqedonia për shqiptarët?
Po futemi në çerekun e dytë të shekullit 21 dhe duket se ne shqiptarët ende nuk e kemi definuar se çfarë në të vërtetë shohim dhe ndjejmë për Maqedoninë?!
Historia dhe politika duket se i kanë huqur pozicionet e tyre. As e para e as e dyta, për dekada me radhë, nuk po arrijnë të japin një përgjigje të saktë se cili duhet të jetë pozicioni ynë karshi këtij fenomeni, karshi kësaj gjeografie, karshi këtij toponimi.
Me gjasë, kjo amulli në mënyrën e perceptimit, zë rrënjë që pas luftërave ballkanike. Që nga ajo kohë fillon zhvendosja e asaj që është apo, më mirë thënë, që do të duhej të ishte perceptim i saktë i shqiptarit modern për këtë copë toke.
E për t’i dhënë pakëz dritë kësaj të vërtete, nuk është se historianët tanë kanë bërë shumë përpjekje. Me ndonjë përjashtim të rrallë, ata më shumë janë pozicionuar pas izmave ideologjikë, duke bërë kështu trajtesa që do të shfrytëzoheshin si shtytje për proceset politiko-ideologjike të kohës. E kur jemi të kjo pikë, domosdo duhet përmendur komunizmin, si murtaja më e zezë që e ka pllakosur kombin tonë, si në Shqipëri, ashtu edhe këndej në ish-Jugosllavi.
Duke qenë nën okupim ideologjik, ku gjithçka duhej të fillonte me narracionin e ri për të vërtetën e madhe/të rrejshme, historianët modernë/shërbëtorë të sistemit, nuk e vrisnin mendjen se Maqedonia, ajo që njihej si e tillë në Perandorinë Osmane, ishte më shumë një nocion gjeografik, që e përfshinte pjesën më të madhe të së ashtuquajturës Rumeli, por që në të shumtën e kohës, për të mos thënë gjatë gjithë kohës, udhëhiqej nga shqiptarët.
Ata që i kanë studiuar dhe lexuar rilindësit shqiptarë, e dinë fort mirë se kjo Maqedoni që shtrihej nga kufiri i Edrenesë e deri në këta kufij që i zotëron sot, në të gjitha qytetet dhe garnizonet më të mëdha, përfshi këtu Selanikun e Kavallën, Manastirin e Shkupin… drejtohej nga komandantë garnizonesh e valinj shqiptarë.
Ata që e kanë lexuar historinë “jokonvencionale”, e dinë se kjo gjeografi shihej nga anglezët, rusët, austro-hungarezët, francezët dhe gjermanët, e posaçërisht nga të parët, të dytët dhe të tretët, si një territor i sunduar nga shqiptarët, e i populluar me shqiptarë, grekë, bullgarë e me çifutë të vendosur kryesisht në Selanik.
Dhe, sërish, ata që e kanë lexuar historinë “jokonvencionale” e dinë fort mirë se anglezët dhe francezët, duke stimuluar lloj-lloj kryengritjesh bullgare, greke e pastaj xhonturke, po në territorin e quajtur Maqedoni, e shpërqendronin vëmendjen e Perandorisë Osmane – të “Sëmurit të Bosforit”, siç e quanin në atë kohë – nga Lindja e Mesme, pra aty ku janë burimet e naftës dhe është themeluar Izraeli… E pastaj dihet ose, të paktën, do të duhej të dihej rrjedha e historisë.
Në këtë pjesë hyrëse nuk ishte qëllimi të flitet nëse ekziston apo nuk ekziston kombi/etnia maqedonase. Të mohosh të drejtën e ngjizjes së një kombi në një periudhë të caktuar, paraqet ide jashtë mase shoviniste. Maqedonasit, si realitet shoqëror në kontinent, qoftë edhe me vendim të ASNOM-t (Kuvendit Antifashist të Çlirimit Nacional të Maqedonisë) më 2 gusht të vitit 1944, kanë të drejtë natyrore që nga ajo datë të vetëquhen si të tillë. Duke qenë se asnjë komb nuk është eternal, pse kjo e drejtë t’u mohohet maqedonasve?!
Por, çështja nuk është te etnia maqedonase. Çështja është nacionalizmi maqedonas/serbofil, i krijuar nga ASNOM-i e këndej dhe qasja e shqiptarëve ndaj këtij vendi e këtij kombi nga kjo datë e këndej.
Duke qenë se tashmë po i bëjmë 33 vjet që kemi dalë nga komunizmi, do të duhej të ishte krejt e logjikshme që për një periudhë kaq të gjatë, shqiptarët, por edhe maqedonasit, të kishin bërë një rifreskim të librave të historisë për t’i hapur rrugë të vërtetës.
Të parët këtë do të mund ta bënin përmes “zhdemonizimit” të “okupimit” 5-shekullor osman, të dytët duke u bazuar në fakte shkencore për të bërë distinksion se çfarë është etnia maqedonase e çfarë gjeografia maqedonase.
Meqë të parët pas komunizmit dëshmuan se kjo ideologji ende nuk ka dalë nga ne, atëherë i bie që edhe politika nuk ka arritur të ndërtojë një narracion të saktë se si duhet ta perceptojë shqiptari Maqedoninë.
Për fat të keq, ky perceptim sot, kur po flasim për integrime europiane, në vete ngërthen shumë divergjenca intra-kombëtare, intra-shtetërore, intra-politike.
Sot, shqiptari i Maqedonisë së Veriut ende ka dilema morale se në ç’shkallë është tradhtar nëse e pranon si të tijin shtetin ku jeton e paguan tatim. Ai nuk e di nëse duhet të bëjë tifo për ekipin e futbollit kur luan me ndonjë shtet tjetër, e posaçërisht nëse ai shtet “i huaj” është Kosova apo Shqipëria. Shqiptari i këtushëm, i traumatizuar nga e kaluara 5-6-dekadëshe pas Luftës së Dytë Botërore, nuk e di nëse ende duhet të jetojë me shpresë se një ditë “do të bëhemi bashkë” apo se një ditë “do të bëhemi bashkë në Europë”. Ai përjeton shok emocional kur “prijësi i luftës” i thotë se “ky është atdheu im”, por njëkohësisht nuk e kupton se si po ky prijës, prej dy dekadash, lejon himnin “makedoncite se borat” (maqedonasit luftojnë) dhe gjuhën “20-përqindëshe”? Shqiptari i këtij nënqielli nuk arrin dot ta përpijë “të vërtetën” e ndërkombëtareve se si “një grusht” serbë në Kosovë duhet të kenë më shumë të drejta sesa shqiptarët që përbëjnë pak më shumë se një të tretën e Maqedonisë (së Veriut)? Nuk kupton shumëçka.
Meqë shikuar nga brenda “problemi Maqedoni” shikohet kështu, kjo çështje kërkon edhe një definim më të qartë se si vështrohet nga jashtë.
Bazuar në të kaluarën, tashmë të gjithë e dimë se Serbia ua mohon(te) kishën (ortodokse) maqedonasve, Greqia emrin, bullgarët gjuhën. E shqiptarët? Shqiptarët janë të vetmit që nuk u mohojnë asgjë. E në fund, në bazë të studimeve të ndryshme shoqërore, sërish del se janë më të urrejturit nga maqedonasit. Pse? Nuk duhet qenë shumë i mençur për ta kuptuar se ky animozitet ndaj shqiptarëve është “produkt serb” i instaluar si drajver në kokat e shumicës maqedonase. Dhe kjo, siç u tha, nuk është çështja jonë në këtë rast, pasi që ideja është ta kuptojmë se ç’është arsyeja se ne si komb, në këtë rast edhe “dy Shqipëritë”, nuk kanë ndërtuar kurrë ndonjë qëndrim të qartë përkitazi me “çështjen maqedonase”.
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, e dimë se “ca mirditorë” në atë kohë kishin bërë kumbari me Krajlin serb kundër vëllezërve të tyre shqiptarë. Po kështu e dimë se si shumë familje shqiptare në ish-Jugosllavi, që sot e mbajnë “bajrakun e patriotizmit”, në të kaluarën i kanë shërbyer kauzës antishqiptare serbo-maqedonase. Por, ajo që nuk e dimë është se si në fakt e sheh/shohin shteti/shtetet shqiptare Maqedoninë (e Veriut)?!
E dimë fort mirë se sot Rama ka kumbari me krerët e LSDM-së. E dimë fort mirë se dje Alfred Mojsiu kishte kumbari me ish presidentin Boris Trajkovski. Po kështu e dimë se kryeministri me origjinë nga Deçani, komandant lufte, “hyjke e dilke” me gra e me familje me Zoranin e Strumicës. Shembuj të këtillë kemi me bollëk. Madje thuhet se Berisha e copëtoi PPD-në në vitet e nëntëdhjeta, duke i bërë kështu shërbim të paparë Gligorovit… Por, nuk e dimë se çfarë në të vërtetë duan Tirana dhe Prishtina prej Maqedonisë (së Veriut). Thënë më prerë, nuk e dimë nëse kjo temë edhe shtrohet ndonjëherë si çështje brenda këtyre shteteve që nuk e kuptojnë se maqedonasit etnikë edhe sot e kësaj ditë i shohim si dy vende më armike të Maqedonisë, gjithmonë të Veriut?!
Shkruan: Ismail SINANI
(Editoriali i Revistës SHENJA)