Dijetarët muslimanë nga qyteti i Jerusalemit, duke shprehur se Izraeli i ka hequr të gjitha pengesat, i kanë bërë thirrje muslimanëve të hyjnë në Xhaminë Al Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).
Dijetarët muslimanë të përbërë nga myftiu i Jerusalemit Sheiku Muhammed Hysejin, Kadiu Kryesor i Jerusalemit Vasf Bekri, Kryetari i Këshillit të Lartë të Fondacionit Islamik të Jerusalemit Abdulaziz Salhab dhe Kryetari i Komitetit të Lartë Islamik në Jerusalem dhe oratori i xhamisë Al-Aksa Sheiku İkrime Sabri, në një konferencë për media njoftuan për vendimet e tyre lidhur me Al Aksa-në.
Në deklaratën e përbashkët të lexuar nga Salhab thuhet se “Dijetarët e Jerusalemit, pas largimit të plotë të pengesave të vendosura në portat e Al-Aksës nga Izraeli, ka marrë vendimin që muslimanët të hyjnë në Xhaminë Al Aksa”.
Duke theksuar se namazi i parë në Al-Aksa do të falet me namazin e iqindisë, me qëllim që muslimanët ta kenë mundësinë e tubimit, në deklaratë thuhet se “Pas vlerësimeve të bëra, u bëjmë thirrje atyre nga Jerusalemi dhe Palestina, të cilët kanë mundësi të arrijnë në Al-Aksa të hyjnë së bashku në Harem-i Sherifin e bekuar. I ftojmë muslimanët që gjithmonë, duke filluar nga nesër të grumbullohen në ditët e xhumasë në Al-Aksa”.
Duke bërë thirrje që në Al-Aksa të hyhet me tekbire dhe lutje, në deklaratën e Drejtorisë së Fondacioneve të Jerusalemit u kërkua që në Harem-i Sherif të merren edhe rojet e Al-Aksës.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Fondacionit Islamik të Jerusalemit Salhab thotë se nuk do të lejojnë mbylljen e asnjë prej portave të Al-Aksës dhe se nuk e pranojnë as kufizimin e moshës.
“Hyrja në Al-Aksa është e drejtë e të gjithë muslimanëve, i ri apo i moshuar. Qëndrimi i drejtë dhe i bashkuar i popullit të Jerusalemit, detyroi pushtuesin që të tërhiqet nga vendimet e fundit të marra në lidhje me Al-Aksën”, thotë ai.
Salhab po ashtu kërkoi që çelësi i portës Megaribe t’i jepet Departamentit të Fondacioneve Islame në Jerusalem, në mënyrë që dijetarët muslimanë të kenë mundësinë e hyrjes në Aksa nga të gjitha portat.
Ndryshe, autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa deklaroi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.
Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë të metalit dhe kamera në portat e saj.
Muslimanët refuzuan të hyjnë në kompleks dhe protestuan kundër masave, ndërsa përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë tetë palestinezë. Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.
Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, kabineti i sigurimit të Izraelit vendosi të heqë detektorët e metalit, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor “kontrolle të zgjuara” bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.
Sot në orët e hershme të mëngjesit, autoritetet izraelite larguan edhe barrierat e hekurit që i kishte vendosur në protat e kompleksit Al Aksa.