Dialogu në nivel presidentësh për të garantuar marrëveshjet

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivelin më të lartë politik është vlerësuar nga njohës të rrethanave në Kosovë, si mënyrë e vetme e “garantimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura”.

Ata thonë se ky nivel politik garanton edhe “uljen e tensioneve të ngritura në javët e fundit”.

Një raund i ri i bisedimeve brenda vetëm një jave, që kur rinisi procesi i dialogut, do të vazhdojë të mërkurën në Bruksel, me përfaqësimin e presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë dhe të kryeministrave të të dyja vendeve.

Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se ky nivel i përfaqësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka ardhur me iniciativën e vet Bashkimit Evropian.

“Besoj se Brukseli të Thaçi dhe Vuçiq ka më shumë garanci se do të mund t’i realizojnë marrëveshjet e arritura ose ato që do të arrihen se sa tek kryeministri Mustafa i cili siç e dimë ka treguar një qasje jo aktive në çështjet e dialogut me Serbinë. Kam përshtypjen se Brukseli e beson më shumë zotin Thaçi, jo në kuptimin e politikanit por, në kuptimin e garantit që mund të realizojë zbatimin e marrëveshjeve”, tha Mushkolaj.

Dialogu rinisi pas tensioneve të ngritura nga mesi i muajit janar, kur një tren i nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës së veriut, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë të ndryshme dhe me ikonografi mesjetare, u ndal në qytetin e Rashkës në Serbi pak kilometra larg kufirit të Kosovës.

Në një “luftë fjalësh” që pasoi kthimin e trenit, autoritetet në Serbi akuzuan Prishtinën zyrtare për nxitje “të konfliktit” ndërkohë që qeveria e Kosovës tha se “me trenin Beogradi provoi të shkel sovranitetin e vendit”.

Analisti Driton Selmanaj tha se Kosova dhe Serbia kanë përpara vetes shumë marrëveshje për t’u zbatuar dhe arritur dhe, sipas tij , “nuk është ide e mirë që të ndodh përfaqësimi në nivelin më të lartë politik”.

“Nuk është se ka evoluar në aspektin pozitiv dialogu dhe tash të kalojë në nivel të presidenteve. Unë mendoj se ende duhet të bisedohet në nivelin e zbatimit të marrëveshjeve, akoma të bisedohet për nivelin e marrëveshjeve që janë arritur. Prandaj niveli ekzekutiv i kompetencave që kanë kryeministrat do të ishin më të rëndësishme në këtë fazë”, tha Selmanaj për Radion Evropa e Lirë.

Bashkimi Evropian ndërkaq ka bërë të ditur se qëllimi parësor i takimeve është fillimisht ulja e tensioneve mes dy vendeve pas një varg veprimesh përfshirë ndërtimin e murit në Mitrovicën veriore, treni dhe urdhër-arrestet serbe në Interpol që çuan në ndalimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë.

Në ditët e fundit ndërkaq, një bisedë telefonike e presidentit Thaci me kryeministrin serb Vuçiq ngjalli një numë reagimesh në Kosovë, sado që biseda u tha se u zhvillua me “qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve”.

Prishtina dhe Beogradi kanë hyrë në një proces të dialogut që prej vitit 2011 dhe ai u nda në pjesën teknike dhe atë politike. Niveli i presidentëve qe ulur në dialog në vitin 2013 duke i paraprirë Marrëveshjes Kornizë të Prillit të atij viti, që veç tjerash parasheh edhe mos pengimin e njëra-tjetrës në rrugën evropiane të secilit vend.