Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në seancën e sotme për Astrit Deharin, ka thënë se është pikëlluar me humbjen e jetës së tij dhe ka bashkëndjerë me familjen, porse si institucion i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.
Ministrja Hoxha ka thënë se është përpjekur maksimalisht të rezervohet nga deklarimet për të mos interferuar në hetimet e këtij rasti dhe që organeve kompetente t’u jepet hapësirë që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe profesionale.
“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria, si dhe edhe pas daljes së Prokurorisë me raportin zyrtar. Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë punën e institucioneve dhe që shfaqin mosbesim ndaj kësaj pune. Ne gjatë gjithë kohës po kërkojmë sundim të ligjit, transparencë dhe llogaridhënie. Konsideroj, se të besojmë në institucionet tona është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana”, ka thënë ministrja Hoxha.
Si Ministre e Drejtësisë, Hoxha ka garantuar se ministria që ajo drejton ka bërë çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe të mos ndërhyhet në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura.
“Çdo ndërhyrje e imja apo e Ministrisë së Drejtësisë pas kalimit të rastit te Prokuroria është ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, pavarësia e të cilit është një ndër shtyllat e sundimit të ligjit”, ka thënë ajo.
Hoxha ka bërë thirrje që jo vetëm veprimet, por për aq sa është e mundur edhe deklarimet, veçmas të personave me përgjegjësi dhe që ushtrojnë funksione publike, të bëhen në pajtim me ligjet në fuqi dhe mos të tentojmë që të përfitojmë në çfarëdo forme nga tragjedi të tilla.
“Le të mbetet në përgjegjësinë politike, përgjegjësinë profesionale dhe ndërgjegjen njerëzore të të gjithë atyre që në çfarëdo forme kane tentuar dhe po tentojnë ta keqpërdorin dhe përfitojnë nga kjo tragjedi”, ka thënë Hoxha.
Më tej, Ministrja e Drejtësisë, ka treguar se si institucion përgjegjës për menaxhimin e institucioneve korrektuese, me të marrë lajmin për humbjen e jetës së të ndjerit Astrit Dehari, ka autorizuar fillimisht inspektimin nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.
“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, inspektorati ka bërë inspektim gjithëpërfshirës për veprimet dhe sjelljen e stafit ndaj të ndjerit Dehari, që nga momenti i pranimit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më datë 01 shtator 2016 dhe është përgatitur raporti, të cilin e kam pranuar me datë 21 nëntor 2016 dhe i njëjti për hir të transparencës është bërë publik”, ka thënë ajo.
Sipas raportit të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Hoxha ka treguat se konstatohet se nuk është gjetur asnjë veprim i ndërmarrë nga ana e personave përgjegjës në kuadër të institucionit (Qendrës së Paraburgimit në Prizren), i cili në çfarëdo mënyre do të ishte nxitës apo shkaktarë i humbjes së jetës së të ndjerit Dehari.
Megjithatë, sipas ministres Hoxha, inspektorati kishte rekomanduar se për shkak të neglizhimit të procedurave të ndërmerren masa ndaj personave përgjegjës, përkatësisht ndaj oficerit në detyrë, mbikëqyrësit të krahut, si dhe personave përgjegjës të sigurisë në bazë të hierarkisë.
“Ne kemi ndërmarrë veprime konkrete, me ç’rast janë iniciuar procedurat disiplinore ndaj një zyrtari korrektues, dy mbikëqyrësve dhe ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të cilëve po ashtu u është shqiptuar edhe masa e suspendimit si masë paraprake deri në përfundim të procesit disiplinor”, ka thënë Hoxha.
Gjithashtu, Hoxha ka treguar edhe për procesin e ekzaminimit të trupit të të ndjerit Dehari, ku ekspertët e mjekësisë ligjore në një proces transparent me prezencën edhe të mjekëve të tjerë të propozuar nga familja dhe vëzhguesve nga EULEX kanë konstatuar se i ndjeri Dehari është vetëvrarë.
“Edhe Prokuroria e Shtetit ka dalë me njoftimin zyrtar se pas hetimeve preliminare rezulton se i ndjeri është vetëvrarë”, ka thënë ajo.
Hoxha, po ashtu ka përmendur edhe EULEX-in që kishte përcjellë dhe monitoruar të gjithë procesin në rastin Dehari dhe që e kishte vlerësuar të gjithë procesin profesional dhe në pajtim me standardet përkatëse.
Në fund, ministrja Hoxha kërkoi nga klasa politike mos të përpuqet të manipuloj e përfitoj politikisht mbi një tragjedi familjare.