Ballina Artikuj DHURATA 12 MILJE DET (PO A THA SA TOKË?!?)

DHURATA 12 MILJE DET (PO A THA SA TOKË?!?)

Nga: Prof.Dr Ismail Bardhi

Po e filloj këtë shkrim me një përsëritje të asaj që mjaft është shkruar dhe diskutuar nëpër revistat e mëparshme:çka është duke ndodhur me mendjen shqiptare, politikën shqiptare, kulturën shqiptare, gjegjësisht me tokën/trojet shqiptare dhe shprehjet e pyetjet si: “toka jonë”, “vendi ynë”, “kultura jonë”, “ku po vemë?” e “çka po ndodh?”.Ndër ato që më pëlqeu në këto revista dhe që po i përmend këtu janë një titull artikulli: “Jashtë nga Vlora grekët” si dhe një pasus nga shkrimi me titull “Idealista pa ideal”te revista “Hylli i Dritës”, nr. 10, viti 1936, ku zhvillohet një bisedë kësisoj: “Kallzojnë për knjaz Nikollen e Malit të Zi, se tue ndejë‘iditë me nji mik të vetin, paska rá bisedimi mbi politikë. Shka asht politika? – e pyetka miku knjazin. Tue pas ngurrue aj në të përgjigjun, më lên, t’a kallzoj, Madhni, i thânka miku: Politikë don me thanë, po të rrejsh ti, un me duertrokitje të brohoris: Të lumët! E po rrêjta un, të më burgosish si fajtuer, pá pasë të drejtë të lypi arsye…”Për të satën herë vetëm përsëriten vendimet vdekjeprurëse për ne shqiptarët, dhe atë nga vetë krerët shqiptarë. Ne nuk kemi mundësi këtu t’i radhisim, sepse me siguri do të mbushej një libër i tërë me dobësitë, tradhtitë, shkatërrimet, harresën etj.

Këto ditë lexova se kryeministri i Greqisë, Cipras, ka mbetur i kënaqur me bisedat që ka pasur me “krerët” shqiptarë. Si fjalë më tingëlloi mirë, por një shok më tha: mos shpejto, lexo pak më thellë, shiko se për çfarë bëhet fjalë. E çka të shoh: një vijë detare i dhurohet Greqisë, kurse Presidenti i shtetit thotë “flini të qetë dhe mos u brengosni, se unë do të veproj sipas Kushtetutës”. Çka duhet kuptuar nga kjo? Vetëm një gjë: ne nuk kemi shtet, sepse Kushtetuta thotë: pritni se si do të vendosim. Për një çast m’u rikthye trishtimi i së kaluarës sonë: komunizmi i paparë si fizikisht ashtu edhe metafizikisht; pastaj 1990-ta kur ne u futën nëpër një rrugë në kohën kur gjithë bota dilte prej saj (“demokracia”), faktikisht ne hymë nga dalja. Pastaj, nuk kaloi shumë kohë dhe ndodhi ’97-a, ku u vodh, u shkatërrua dhe u dogj shteti. Sa për t’ua përkujtuar: hairin më të madhe të atyre ndodhive ia panë Greqia, Serbia dhe Maqedonia. Këtu nuk e kam fjalën për shitjen e binarëve të hekurudhës, gëzhojave të predhave, por të vetë armatimit që e blenë qyl, e për çka shumë shqiptarë u dënuan me pretekst të shitblerjes së armëve dhe “terrorizmit”. Por, me sa më kujtohet se asokohe nga burgu u arratis ish-kryeministri Fatos Nano, që erdhi sërish në pushtet.

Kur i ke parasysh të gjitha këto, me siguri kjo shitblerje e territorit tokësor dhe detar të Shqipërisë duket si “hiçgjë”. Askush në botë, as vendet e Afrikës nuk e merr si shembull këtë shtet si shtet, përpos “krerëve” kosovarë, që duket se me mish e me shpirt mundohen t’i ngjajnë në këtë aspekt “nënës” Shqipëri. Që t’i largohem radhitjes së këtyre informacioneve vdekjeprurëse për ne, nuk kam mundësi të flas, përpos asaj fushe metafizike që tregon dhe thërret në kujdes të veçantë.

Këtë shkrim që e bëj mund ta emëroj vetëm si të përgjegjshëm, sepse ne me sa duket nuk jemi në pozitën që të zgjedhim mes dy të mirave, por vetëm mes të ligave. Kjo përgjegjësi nënkupton pasoja me ndikim të gjerë dhe atë pasoja që mund të jenë të drejtpërdrejta. Faktikisht, del se ne jemi në “luftë”, sepse akoma nuk është shfuqizuar ky ligj te njëri nga shtetet fqinje. Ne jemi sy më sy me realitetin e vrazhdë ndaj shkrimi im është vetëm rezultat i atij realiteti, e jo i prirjeve, përcaktimeve ose qëllimeve personale.

Këtu, në këtë çast, duke pasur parasysh rrethanat, kemi të bëjmë me vetëdijen dhe ndërgjegjen e mundshme të popullit tonë. Secili nga ne tani është edhe diçka më shumë se

ç’është me vetveten, të pandarë në atë që jemi, qoftë me vullnetin tonë, qoftë me pashmangshmërinë historike që i ka rënë si hise këtij brezi. Në këtë hapësirë me ne janë të gjithë të gjallët dhe të vdekurit tanë. Ne jemi si në “Ditën e Gjykimit”, me atë dallim që llogarinë ia japim vetes dhe atyre që do të na trashëgojnë – të bashkuar nga udhëkryqi i vrazhdë historike; të barabartë në brengat që na pllakosin, pa ndasi rajonale dhe partiake, pa kurrfarë rivaliteti dhe paramendimesh kundërshtare, të vënë nën një dhe të vetmin emërues me atë mënyrën se si kemi lindur dhe si kemi vdekur.

Asgjë më nuk do të jetë siç ka qenë, si duket duhet nisur gjithçka nga fillimi: pastër dhe qartë si vetë natyra, pa dyfytyrësi. Shqiptarët janë mbase i vetmi popull europian me udhëheqje poltrone anacionale politike (nuk them “nacionaliste” se të gjithë shtiren si të tillë). Ne shqiptarët jemi historikisht të keqtrajtuar në këto hapësira, më të gjera se Shqipëria e sotme – ushtarakisht, ekonomikisht dhe kulturorisht. Edhe pse gjatë gati një shekulli të fundit jemi margjinalizuar si popull politik, fizikisht dhe ekonomikisht në mënyrë sistematike dhe josistematike të shkatërruar, kulturorisht të përçmuar, fetarisht të satanizuar si relikt aziatik-islamik, jemi i vetmi popull në hapësirat europiane me institucione (a)nacionale, me presion të pushtetit ndaj inteligjencies fetare dhe të përbotshme, me zhytje joshëse në europizimin e mjegulluar që është si purgator për përcaktimet e ardhshme kombëtare.

Kjo rrjedhë e trazuar historike është njëri nga shkaqet që tek populli shqiptar mund të hasen të gjitha llojet e skajshmërive. Askund nuk kam hasur njerëz aq të prekshëm zemërbutë, naivë dhe të përkushtuar, pafundësisht vetëflijues, të gatshëm për çdo lloj sakrifice personale dhe kolektive, dhe askund individë dhe grupe të tilla absolutisht zemërngushtë, pafundësisht egoistë, të korruptueshëm, politikisht baltakë dhe, mbi të gjitha, të fiksuar pas nënçmimit të gjithçkaje personale , emrit personal, fesë, zakoneve, së kaluarës. Nuk gjej kurrfarë justifikimi për këtë. Kështu, jemi pa një program të qartë politik, pa udhëheqje të vërtetë politike, pa respektim të mjaftueshëm të autoriteteve fetare dhe kulturore, pa sens për çdo lloj organizimi harmonik. Në regresionin e përgjithshëm shtetëror dhe shoqëror, të shkaktuar nga zhvillimet e parashikueshme historike në Ballkan, te populli ynë u zhvilluan ato veti shkatërrimtare që nga brenda e tresin trupin e vet dhe shpirtin e vet… Ne nuk kemi dhënë pretekst për atë që na bëhet.

Ne as grekëve, as serbëve, as maqedonasve me të cilët jetojmë, me të cilët kemi jetuar, nuk u kemi dhënë kurrfarë preteksti për atë që i kanë bërë dhe dëshirojnë t’i bëjnë popullit tonë të (pa)mbrojtur. Krimet e tyre janë rezultat i veprimeve të planifikuara Kosova, Vorio-Epiri…). Për këtë kemi një varg mësimesh nga e kaluara e afërt dhe e largët, por ato mësime i kemi harruar në shpirtmirësinë tonë naive dhe në neglizhencën tonë politike, e çka e kemi madje të ndaluar ta kujtojmë, e lëre më ta mësojmë.

Zbatimin e programeve hegjemoniste nuk do të mund ta pengonte çfarëdo sjellje jona ndryshe. Nëse këtë nuk e kuptojmë menjëherë dhe në mënyrën e duhur, atëherë i bashkohemi agresorëve dhe pohimeve të tyre për fajin tonë apo ndarjen e fajit. Është koha që edhe një herë të themi se ky është një lloj lufte “kryqëzatash/holokausti” modern dhe se faji ynë është kolektiv. Nuk do të them se në këtë mësymje ne kemi vepruar të organizuar, nuk do të them se gjithçka duhej të ishte ashtu siç është, por rrjedha kryesore e ngjarjeve do të shkonte ashtu siç shkoi. Kjo nuk është një luftë emocionale, grindëse mes fqinjëve. Ajo ka qenë, dhe vazhdon të jetë, realizim fizik i planeve politike shumëvjeçare. E paskrupullt, e pamëshirshme dhe radikale.

Makineria propagandistike e fqinjëve, që është e kuptueshme, e njohin këtë përjashtueshmëri dhe fobi antiislame europiane, ndaj e frikësojnë botën me fenë tonë, dhe

virtytet tona të njohura, dhe nga ekspertë objektivë të vlerësuara, i paraqesin si rrezik. Në të vërtetë, Europa nuk i vlerëson format multikulturore dhe multifetare të bashkësisë dhe mënyrën tonë të bashkëjetesës. Ajo atë e përjeton më shumë me habi sesa me mirëkuptim.

Ne u besonim përrallave që na janë rrëfyer qëllimisht. Ne nuk jemi “zemërngushtë“, por është e qartë se ata përreth nesh dëshirojnë të na mësojnë se si duhet të jemi. Disa nga ato mësime duhet t’i pranojmë për të qenë të kuptueshëm. Sulmet anti-kombëtare, anti-fetare ndaj shqiptarëve nga e majta dhe e djathta, me urrejtje e bëjnë të dyshimtë këtë pastërtinë tonë shpirtërore dhe me gjurmë të përgjakur fshijnë gjithçka që kemi prekur me shputat tona dhe që e kemi materializuar shpirtërisht. Sepse, ne nuk jemi kurrfarë populli qiellor, por tokësor, i kësaj toke.

Në krahasim me të tjerët ne gjithmonë kemi qenë të matur, modestë, të sjellshëm, miqësorë dhe të kujdesshëm, mirëpo gjithmonë kjo është vlerësuar si dobësi e jona, e jo si zemërgjerësi e qenies sonë. Ne jemi vlerësuar jo sipas asaj që jemi dhe çfarë ofrojmë në bashkëjetesën me të tjerët, por sipas kutit matës, cilësive dhe moralit të vlerësuesit. Ky, fatkeqësisht, nuk është kurrfarë ngushëllimi. E liga nuk kërkon lavdërim, por dehjen e entuziazmit të çmendur. Ne i kemi pranuar të gjitha bukuritë që na janë ofruar, iu besonim përrallave që janë rrëfyer qëllimisht, e falnim ligësinë dhe shëmtinë që na bëheshin, shtrinim duart e pastra në “ardhmërinë e largët”… E gjithë ajo ishte një mashtrim i paramenduar dhe i ulët. E gjithë ajo tani na tall me cinizëm në fytyrën e gjakosur, jo pa kënaqësi maniake të kriminelit. Tani jemi këtu ku jemi dhe atje ku nuk jemi: me viktimat, gurëvarret e freskëta, rrënojat, monumentet e shembura, nënat dhe motrat e përdhunuara, me dhimbjen. Këtë ligësi kurrë nuk duhet ta harrojmë. Kjo e ligë ndaj popullit tonë dhe trojeve tona është formësuar asisoj dhe në mënyrë aq shprehëse sa me të ky qytetërim do të merret si me një shkak tmerrues shtjellimi shkencor dhe artistik që mund t’i sjellë Njerëzimit aq shumë dobi përvoje, sa neve që na ka sjellë dëm.

Për t’u prezantuar dhe dëshmuar se kush jemi, çdo forcë fizike dhe metafizike duhet bashkuar, dhe duhet kuptuar serioziteti i kohës, duhen krijuar mundësitë për një zhvillim më të fortë, më të plotësuar dhe më racional, që do të mund ta mbrojë vetveten ashtu siç duhet. Kjo nuk bëhet me abuzimet e institucioneve të shtetit, të cilat janë bërë “domosdoshmëri” tek ne. Për fat të keq, në këtë lojë marrin pjesë edhe “figurat fetare”, siç pamë para disa ditësh kur një figurë fetare dekorohet me urdhrin kalorësiak të Skënderbeut. Edhe dekoruesi edhe i dekoruari bëjnë abuzim institucional të shqiptarëve. “I madhi” tallet me shtetin, e ky tjetri në vend që ta merrte dekoratën, duhej t’i thoshte: ju akoma dyshoni për kufijtë e shtetit, e i dhuroni territor dikujt, ndaj si mund të jepni dekorata shtetërore?

Po e përfundoj shkrimin me një thënie të vitit 1997 të ministrit të brendshëm të Maqedonisë: kur gazetari i parashtroi pyetjen se a mendoni se Maqedonia është e kërcënuar nga Shqipëria, përgjigjja e këtij ishte se ajo nuk ka mundësi t’i ruajë kufijtë e vet, e lëre me të kërcënojë dikë tjetër. E sot, e shohim se ajo që thoshin serbeët kur i nisën luftrat që e shkatërruan ish-Jugosllavinë se: “aty ku ka edhe një varr serb është tokë serbe”, tani si duket po e vazhdojnë grekët.

Exit mobile version