Dhunohet një e mitur në Prishtinë, rasti po hetohet

Një rast i veprës penale “Dhunim” raportohet të ketë ndodhur të dielën rreth orës 01:00 në Prishtinë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se një femër e cila dyshohet se është dhunuar është dërguar për ekzaminim mjekësor.

“Lidhur me rastin e lartcekur Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë kompetente është duke bërë hetime intensive. Me vendim të prokurorit viktima femër kosovare është dërguar për ekzaminim mjekësor”, thuhet në raport.

Mirëpo, siç merr vesh Telegrafi e dhunuara është një e mitur, e cila dyshohet se është dhunuar nga disa persona.

Po ashtu në disa media vendore po raportohet se bëhet fjalë për të miturën 14 vjeçare e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të cilët deri më tani nuk janë identifikuar.

Telegrafi po ashtu ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, mirëpo të njëjtit nuk dhanë detaje shtesë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.