Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Dhunë, kërcënime dhe pushime të mohuara: Si ndikoi pandemia në zinxhirin e...

Dhunë, kërcënime dhe pushime të mohuara: Si ndikoi pandemia në zinxhirin e prodhimit në vitin 2020

Fabrike rrobash

Një studim i fundit ka zbuluar se punëtorët e industrisë së veshjeve u përballën me kushte gjithnjë e më të përkeqësuara gjatë pandemisë së COVID-19.

Punëtorët e fabrikave të prodhimit të veshjeve të firmave më të njohura të modës në botë të bazuara në Etiopi, Honduras, Indi dhe Burma u përballën me normat më të larta të rrogës së papaguar, dhunës, kërcënimeve madje edhe ndalimit për të përdorur tualetin gjatë punës, tha studimi i publikuar këtë javë nga Sheffield University.

Sipas studiuesve, përkeqësimet në kushtet e punës ishin një rezultat direkt i mënyrës se si funksionojnë zinxhirët e furnizimit të veshjeve.

1,140 punëtoret e intervistuar për këtë studim punojnë për kompani që furnizojnë me veshjet e firmave më të mëdha si H&M, Nike, Next, Tesco, dyqanet amerikane të veshjeve për fëmijë, The Children’s Place apo edhe firma e famshme franceze, Decathlon.

Profesor Genevieve Le Baron tha për Euronews se ekziston rreziku që këto ndryshime negative në kushtet e punës të jenë të përhershme.

“Punëtorët janë zhytur në një dëshpërim të thellë ekonomik, të drejtat e tyre po zhduken, ka pasur pushime edhe nga vende pune të mbrojtura nga sindikatat, kanë ndodhur një sërë gjërash të pazakonta në zinxhirin e furnizimit dhe unë mendoj se ka një mundësi të lartë që këto lloj dinamikash të mos kenë kthim”, tha ajo.

Çfarë zbuloi ky studim?

Të punësuarit në shtetet ku u krye studimi pësuan ulje në rrogat e tyre mesatarisht me të paktën 11%. 35% e atyre që i mbajtën punët e tyre gjatë pandemisë, raportojnë se janë përballur me dhunë verbale në punë, 34% thonë se kanë marrë kërcënime ose kanosje, 22% raportojnë ulje të padrejta rroge ose vonesa në pagesë dhe 19% thonë se i është mohuar pushimi për të pirë ujë apo shkuar në tualet gjatë orës së punës.

Sipas Le Baron, ky përkeqësim i kushteve të punës erdhi si pasojë e mënyrës se si emrat e mëdhenj të industrisë ju përgjigjën krizës ekonomike që iu kanos nga pandemia e COVID-19.

“Ne filluam të marrim anulime të porosive, refuzime për ta paguar për mallra që fabrikat i kishin prodhuar tashmë. Ne pamë një efekt domino të nisur nga kompanitë e mëdha e që u vuajt nga i gjithë zinxhiri i furnizimit. Të gjithë këto tendenca në një mënyrë ose tjetër, janë një pasojë e kësaj”, tha ajo.

Një “bombë me sahat” për të ardhmen

Le Baron tha për Euronews se eksperienca e punëtorëve të fabrikave të veshjeve gjatë pandemisë së COVID-19, është pikënisja e një trendi që mund të prekë të gjithë ata që janë të përfshirë në zinxhirin e furnizimit në mbarë botën.

“Kemi vënë re përkeqësime të vazhdueshme në kushtet e punës përgjatë të gjithë zinxhirit të furnizimit”, shtoi ajo.

Më herët këtë javë, një sindikatë tregtare në Gjermani i bëri thirrje të punësuarve në qendrat e shpërndarjes së kompanisë Amazon në të gjithë shtetin, që të hyjnë në grevë për të protestuar ngarkesat e shtuara në punë si pasojë e pandemisë.

Një tjetër problematikë me pasoja afatgjata mund të jetë rritja e numrit të punëtorëve të fabrikave të cilët kanë marrë borxhe, të detyruar si pasojë e pandemisë, për të paguar edhe detyrimet më bazike.

“Kemi përpara një bombë me sahat,” tha Le Baron.

“Tashmë kemi faktuar se ka një rritje të punës së detyruar, por shqetësimi që unë kam është se nëse flasim me këta punëtorë 6 muaj apo një vit më vonë, do të shohim se borxhet e grumbulluara do të jenë një problem edhe më i madh që i shtyn ata edhe më tej drejt kësaj spiraleje fatale”, shtoi ajo.

Euronews kontaktoi me kompanitë e lartpërmendura nga ky studim për të marrë një koment prej tyre në lidhje me situatën shqetësuese.

H&M refuzoi të jepte një koment.

Ndërsa kompania Tesco tha se ata nuk i toleronin aktet e dhunshme përgjatë të gjithë zinxhirit të furnizimit. Kompania i tha Euronews se vazhdimisht ata ndërmerrnin kontrolle për t’u siguruar që të punësuarit po trajtoheshin në mënyrë të drejtë.

Ndërsa, kompania Nike dërgoi si përgjigje një link të faqes së tyre zyrtare ku shpjegoheshin parimet e kësaj firme.

Kompanitë e tjera nuk u përgjigjën. /euronews

Exit mobile version