Dhuna, pornografia, rreziqet për fëmijë nga interneti

Fëmijët në Kosovë çdo ditë e më shumë po e përdorin internetin. Save the Children në bashkëpunim me Qendrën Fit ka publikuar sot, të mërkurën, hulumtimin rreth përdorimit të internetit, rrezikun dhe sigurinë, transmeton TV Arta.

Në bazë të këtij hulumtimi del se rreth 97% e të anketuarve kanë thënë se janë përdorues të internetit, ndërsa rreziku nga përdorimi i internetit konsiderohet të jetë i lartë. Rreziqet kryesore, sipas këtij hulumtimi, janë dhuna, pornografia, takimi me njerëz të panjohur dhe keqpërdorimi i të dhënave personale.

Hulumtimi është bërë në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës. Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të Save the Children dhe Qendrës FIT kanë thënë se bashkërisht do të vazhdojnë të punojnë në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rrisin vetëdijen në përdorimin e internetit.