Dhuna në Mianmar ndaj myslimanëve Rohinja, 65-vjeçarja ka një mesazh për Botën

Begum Jaan, 65 vjeç, është një ndër mijëra myslimanë Rohinja, që i janë larguar dhunës në Mianmar duke u zhvendosur drejt Bangladeshit. Ajo iku nga shteti Rakhine javën e fundit, ndërsa dhuna kundër popullsisë nisi në muajin gusht.

Sipas raportimeve janë mbi 300 mijë myslimanë Rohinja që për t´i shpëtuar dhunës së forcave të sigurisë janë larguar në rreth 3 javë drejt Bangladeshit.

Operacioni kundër tyre është cilësuar nga OKB si “pastrim etnik”, ndërsa në ditët e fundit ka një ndërgjegjësim të pothuajse të gjitha organizmave ndërkombëtare që i bëjnë thirrje shtetit të Mianmarit të ndalë dhunën.

“Jeta ime ka qenë një luftë e gjatë. Burri më vdiq 25 vjet më parë dhe që atëherë kam lypur në rrugët e fshatit tim për të mbijetuar. Të dy bijat e mia janë të martuara, prandaj nuk kisha asnjë që të më mbështeste”, raportoi “Al Jazeera”, në një artikull rreth asaj që po ndodh me mijëra myslimanë Rohinja, të larguar nga Mianmari dhe që janë vendosur në shtetin fqinj, Bangladesh.

65-vjeçarja rrëfen momentet e tmerrit kur nisi dhuna e forcave të sigurisë kundër popullsisë civile.

“Një natë u zgjova nën krismën e armëve dhe shpërthimeve, ishin kaq të zhurmshëm sa nuk mund ta përballoja. Unë nuk kam qenë në gjendje të fle pasi unë ende i dëgjoj ato zhurma në kokën time.

Të gjithë po iknin, kështu që mora vendimin të iki me ta. M’u deshën dy ditë për të arritur në Bangladesh.

Ishte një udhëtim i vështirë pasi nuk mund të eci pa një shkop. Megjithëse kishte shumë njerëz që shkonin drejt Bangladeshit, askush nuk më ka shoqëruar askush. Kisha dëgjuar se ushtria e Mianmarit kishte anije që patrullonin lumin, prandaj isha shumë e frikësuar kur kalova me anije.

Edhe pse jam tani në Bangladesh, ende jam e frikësuar se do të vijë ushtria e Mianmarit. Por unë jam më e lumtur tani, pasi nuk mund të dëgjoj zhurmat e armëve dhe shpërthimet e bombave”, shprehet 65-vjeçarja.

Ajo beson se bota do të ndërhyjë dhe do të zgjidhë atë që po ndodh.

“Po e ndjej sikur bota e jashtme po na mbështet shumë dhe kjo më bën të ndihem mirë. Dua që të gjithë të dëgjojnë historinë tonë, dua që e gjithë bota të dëgjojë dhimbjet tona. Ne nuk kemi të ardhme, jeta jonë është e pashpresë”, shprehet 65-vjeçarja. /Mesazhi/