Prokuroria Themelore Publike –Shkup (PTHP) njofton se pas marrjes së provave për 15 persona të përfshirë në trazirat në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, fillimisht kishte nisur një procedurë nga shkaku i dyshimit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë e cila do të pengoj personin zyrtar të kryej detyrë zyrtare”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Aktualisht, shtatë e persona janë të privuar nga liria. Prokurori publik kompetent, duke marrë në konsideratë se janë përmbushur bazat ligjore, për katërmbëdhjetë të dyshuar i ka sugjeruar gjyqtarit të procedurës së mëparshme të caktojë masën e paraburgimit. Për një person është propozuar masa e kujdesit”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë të publikuar në faqen e saj të internetit.
Në njoftim thuhet më tej se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Të dielën njësiti për Krim të Dhunshëm nga Sektori për Punë të Brendshme–Shkup, tha se ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kundër 15 personave të cilët akuzohen për dhunën e shkaktuar në Kuvendin e Maqedonisë ditë më parë.
Rikujtojmë se të enjten, më 27 prill, në një atmosferë kaotike në Kuvend, shumica parlamentare votoi deputetin e BDI-së, Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit. Më pas vijuan incidentet para dhe brenda Kuvendit, kur një pjesë e qytetarëve hyri me dhunë dhe sulmuan disa deputetë në mënyrë barbare.