Dhuna në familje, rezultat i diskriminimit gjinor

Familja përkufizohet nga një grup individësh i lidhur nga gjaku ose nga martesa, që jetojnë bashkë, bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët. Familja është gjithashtu një grupim privat individësh, marrëdhëniet dhe sjelljet e të cilëve janë të padukshme për të tjerët, një organizim social kompleks, që konsiston në shumëllojshmëri rolesh dhe statusesh. Dhe së fundmi, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të një familjeje, janë më intime, më emocionale dhe më të ndjeshme.

Familja është vendi më i qetë për gratë dhe fëmijët. Është vendi ku ata kanë më shumë siguri. Por këtë qetësi dhe siguri e kërcënojnë gjithmonë sjelljet devijante, dhuna, konfliktet për hiçgjë, braktisja etj. Kjo dhunë është gjithashtu një tregues shumë i mirë i paragjykimeve gjinore që has gruaja në familje, ku tradicionalisht burri ka të drejtën e tij që të ketë epërsi ndaj gruas. Kjo traditë patriarkale bën që shoqëria të mbizotërohet nga meshkujt, dhe femrat të kenë gjithmonë të drejta dytësore.

Shumë njerëz nuk pranojnë as teorikisht se gratë kanë të drejta të barabarta me burrat. Kjo epërsi e burrave në familje shihet si vlerë familjare, dhe aty ku prishet ky kod zakonor, thuhet se familja ka degjeneruar. Nga rastet e dëgjuara, sot ka një përfshirje masive të dhunës në shumë familje për shkaqe nga më të ndryshmet, si tranzicioni apo shkaqet ekonomike, problemet sociale dhe kushtet e vështira që sjellin mos përshtatshmërinë dhe konfliktet në çift.

Kuptohet se, dhunuesit janë testues të mirë të “artit” të tyre primitiv. Ata fillojnë me forma të lehta të dhunës dhe e rrisin atë gradualisht nëse gruaja e kundërshton prerë. Ata herë bëjnë rolin e dhunuesit, e herë bëjnë rolin e të penduarit, duke përdorur justifikime të ndryshme. Shpesh është e vërtetë që dhuna gjeneron dhunë në familjet e ardhshme. Forma të tjera të dhunës janë: dhuna psikologjike, emocionale që përfshin talljet, kërcënimet, ndjekjet, ndalimi për të dalë vetëm, kritikat, sharjet, fajësimin për çdo gjë etj. Të gjitha këto forma ushtrohen shpesh në shoqërinë tonë dhe kudo.

Disa prej tyre janë bërë të zakonshme. Kjo tregon se të drejtat e njeriut janë shkruar mirë e bukur nëpër ligje, por askush nuk i respekton ato.FAMILJA, LIGJI DHE DHUNA NË ÇIFTFakti që dhuna në familje është një problem shumë i madh në Shqipëri, tërthorazi pohohet edhe nga numri i grave që kanë kryer krime ndaj bashkëshortit. Përballë dhunës së vazhdueshme të ushtruar nga bashkëshortët e tyre, ato nuk janë përmbajtur dhe i kanë vrarë ata, edhe pse krimi është i pajustifikueshëm.

Por sa të forta janë këto ligje përballë atyre zakonore që diskriminojnë, që thonë se gruaja, vajza duhet të jetë e nënshtruar dhe në një pozitë më inferiore se burrat? Duket qartë se ato ligje të hartuara, nuk kanë asnjë pushtet në mentalitetin e njerëzve. Nuk mund ta godasin atë mentalitet diskriminues që është shkak i sa e sa krimeve në familje, i sa e sa tmerreve dhe vuajtjeve. Por edhe mungesa e kuadrit ligjor mbi këtë problem ka fajin e vet.

Kjo vlen sidomos për vendin tonë, ku edhe dhuna ndaj gruas konsiderohet tërësish çështje private, e cila nuk ka asnjë arsye pse të dalë jashtë dyerve të shtëpisë. Ligji shqiptar është i pafuqishëm përballë këtyre situatave, jo për shkak se mungojnë Nen-et, por sepse asnjë institucion nuk e merr seriozisht atë. Në vend të kësaj, gjykatat marrin seriozisht justifikimet e dhunuesit.

NDËRGJEGJËSIMI I TË RINJVE DHE MODELET EVROPIANE

Mbi të gjitha, parandalimi duhet të bëhet që në bankat e shkollës. Pra të parandalohet te fëmijët rënia në rrjetën e mentalitetit patriarkal, duke u treguar nxënësve vlerën dhe rëndësinë e femrës në familje dhe në edukimin e fëmijëve. Karta e të drejtave të njeriut thotë: “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”. Thelbësore është ndërgjegjësimi i burrave dhe grave për pasojat e dhunës dhe diskriminimit, si dhe njohja e aftësive reale të femrave. Duke bërë kështu, ndërrimin e mentalitetit nga frenues në të dobishëm.

Mentaliteti duhet të shkojë deri aty sa të eliminohet diskriminimi gjinor, të lejohen role dhe statuse të barabarta, si për femrat edhe për meshkujt, të mos shikohen me natyrshmëri inferioriteti i pozicionit të gruas në familje. Kështu do të eliminohet edhe dhuna. Të dhënat nga shumë qendra apo intervista, por edhe krime të kryera, çojnë në shifra që flasin qartë për përmasat e shtrirjes së dhunës në familje në Shqipëri.

Po kështu, të njëjtat referenca tregojnë se kjo dhunë nuk është e shtrirë vetëm në zonat rurale, por edhe në qytete, madje edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë. Kjo dukuri nuk kishte si të kufizohej, përderisa migrimi i brendshëm historikisht në vite, ka prekur të gjitha familjet. Nga përzierja e popullsisë, problemet socio-ekonomike dhe përplasja e nënkulturave të ndryshme, i nxorën më me forcë në sipërfaqe problemet e dhunës. Kjo dukuri lypset të bëhet objekt studimesh për të njohur jo vetëm gjendjen dhe shkallën reale të dhunës në familje, por dhe për të përcaktuar më drejtë rrugët dhe mjetet e nevojshme për kufizimin e saj.(Autorja është psikologe klinike)/Mesazhi/