Dhjetëra të vrarë nga një sulm në Afganistan

Një makinë bombë shpërtheu para një banke në jug të Afganistanit, duke vrarë së paku 29 veta.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Helmand, Omar Zwak, tha se mbi 50 veta të tjerë janë plagosur nga sulmi në kryeqytetin e provincës, Lashkar Gah.

Viktimat përfshijnë civilë, staf të degës së Bankës së Re të Kabulit dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Sulmi u pasua me të shtëna me armë zjarri në drejtim të bankës, tha Mohammad Karim Atal, anëtar i këshillit provincial të Helmandit.

Përgjegjësinë për të nuk e mori ende asnjë grup, por dyshimet bien mbi militantët talibanë ose ata të Shtetit Islamik.

Helmandi është strehë e talibanëve dhe grupi ekstremist kontrollon rreth 80% të provincës.