Dhjetëra palestinezë të plagosur në Bregun Perëndimor dhe Gaza

Tridhjetë palestinezë janë plagosur nga ndërhyrja e ushtarëve izraelitë në ditën e katërt të protestave në Bregun Perëndimor dhe kufirin e Gazës kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për njohjen e Kudsit si kryeqytet i Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës, bëhet fjalë për protestat në qytetet Ramallah dhe Tulkerim të Bregut Perëndimor të okupuar dhe në zonën kufitare të Gazës së bllokuar.

Forcat izraelite kanë përdorur gaz lotsjellës dhe plumba të vërtetë dhe gome në ndërhyrjen në Gaza, duke plagosur katër palestinezë, ndërkohë që në Bregun Perëndimor janë plagosur 26 palestinezë.

Ndryshe, qindra palestinezë janë plagosur në incidentet me forcat izraelite në Kudsin Lindor, vende të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe kufirin e Gazës, që kur presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Kudsin si kryeqytet të Izraelit.