Reshjet e dendura të borës sot shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike për afro 180.000 konsumatorë në gjithë Bosnjë e Hercegovinën.
Që nga orët e para të mëngjesit, reshjet intensive të borës, të shoqëruara me erë, kanë shkaktuar prishje në rrjetin e tensionit të lartë dhe të mesëm në disa qytete të BeH-së.
“Në periudhën prej orës 04:00 deri në ora 10:30, rreth 180.000 konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike. Falë ndërhyrjeve të shpejta të ekipeve të instalimeve elektrike, shumica e defekteve janë rregulluar dhe rreth 60.000 konsumatorë aktualisht janë pa energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Elektroprivreda BeH.
Situata më e vështirë është në kantonin Una-Sana. Rreth 30 për qind e klientëve në Bihaq, Bosanska Krupa, Cazin, Sanski Most dhe Velika Kladusha janë pa furnizim.
Në kantonin e Tuzlës, konsumatorët në Çeliq, Gradaçac dhe Graçanicë, gjithsej rreth 11.000, janë pa energji elektrike.
Reshjet e borës gjithashtu shkaktuan probleme në furnizim në Zenicë, Maglaj, Teshanj dhe Zavidoviqi në Kantonin Zenica-Doboj, dhe në Bugojno, Donji dhe Gornji Vakuf, Travnik dhe Novi Travnik, Vitez dhe Fojnicë në Kantonin Qendror të Bosnjës”, njoftoi Elektroprivreda.