Dhjetëra mijëra izraelitë në protestë për pengjet në Gaza dhe kundër shkarkimit të shefit të Shin Bet

Dhjetëra mijëra izraelitë demonstruan për të kërkuar përfundimin e luftës në Rripin e Gazës për të mbrojtur jetën e pengjeve izraelitë dhe për të kundërshtuar shkarkimin e shefit të agjencisë Shin Bet, transmeton Anadolu.

Mediat izraelite, përfshirë gazetën Yedioth Ahronoth, Channel 12 dhe transmetuesin publik KAN, thanë se protestuesit dolën në rrugë anembanë vendit për t’i bërë presion qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për të ndalur operacionet ushtarake në Gaza mes frikës për pengjet.

Një nga demonstratat më të mëdha u zhvillua në sheshin Habima në qendër të Tel Avivit. Në Kudsin Perëndimor gjithashtu u tubuan protestuesit kundër qëllimit të qeverisë për të shkarkuar shefin e shërbimit të sigurisë së brendshme izraelite Shin Bet, Ronen Bar dhe kundër rifillimit të luftës në Gaza, duke argumentuar se ajo rrezikon jetën e pengjeve.

Demonstruesit bllokuan rrugët me automjete, duke përfshirë edhe sheshin e Parisit pranë rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Policia ndërhyri dhe bëri disa arrestime.

Protesta të ngjashme u raportuan edhe në Haifa në veri dhe në Beersheba në jug.

Dje, Netanyahu tha se Bar nuk do të mbetet kreu i agjencisë së sigurisë Shin Bet, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë për të bllokuar shkarkimin e tij.

Të premten, Qeveria e Netanyahut vendosi të ndërpresë mandatin e shefit të agjencisë Shin Bet nga 10 prilli, përveç nëse një zëvendës i përhershëm emërohet para kësaj date. Megjithatë, Gjykata e Lartë më vonë lëshoi një urdhër të përkohshëm duke bllokuar vendimin derisa të vendosë mbi apelimet, me një seancë përfundimtare jo më vonë se 8 prilli.

Bar ka deklaruar se shkarkimi i tij vjen me motive politike, duke sugjeruar se vendimi i Netanyahut erdhi nga refuzimi i tij për të treguar “besnikëri personale” ndaj kryeministrit.

Të paktën 700 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur në një fushatë të papritur ajrore nga Izraeli në Gaza që nga e marta e kaluar, duke e rrëzuar armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që u arrit në muajin janar.

Pothuajse 50 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 113 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet brutale izraelite në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Izraeli për luftën brutale në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një rast gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.