Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit të shtunën për protestën më të madhe kundër qeverisë në vitet e fundit, mes tensioneve në rritje për korrupsionin dhe përgjegjësinë e qeverisë pas shembjes tragjike të një çatie në një stacion treni në Novi Sad.
Sipas Ministrisë së Brendshme, të paktën 107,000 persona morën pjesë në demonstratë. Protestat, të cilat filluan pothuajse çdo ditë që nga dhjetori, u nxitën nga vdekja e 15 personave më 1 nëntor, kur një çati në një stacion hekurudhor në Novi Sad u shemb – një ngjarje që kritikët ia atribuojnë korrupsionit nën udhëheqjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç.
Në prag të protestës, pati disa përplasje sporadike. Të premten në mbrëmje, një makinë përplasi një grup protestuesish në lagjen Zarkovo, duke plagosur tre persona. Policia arrestoi shoferin. Ndërkohë, në qendër të Beogradit, një student dhe një profesor u sulmuan nga një grup burrash të shtunën në mëngjes.
Protestuesit, përfshirë studentë dhe veteranë të njësive elitare ushtarake, mbajtën 15 minuta heshtje në orën 11:52 për të nderuar viktimat e tragjedisë në Novi Sad. Disa mbanin pankarta me mesazhin “Ai ka mbaruar”, duke iu referuar Vuçiçit, ndërsa të tjerë brohorisnin “Pump it up”, një slogan i përdorur gjatë muajve të protestave të studentëve.
Në përpjekje për të shmangur tensionet, organizatorët zhvendosën skenën e protestës nga godina e Asamblesë Kombëtare në Sheshin Slavija. Ata bënë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi, duke deklaruar se lëvizja e tyre nuk synon “sulm ndaj institucioneve apo atyre që mendojnë ndryshe”.
Deri më tani, prokurorët serbë kanë ngritur akuza kundër të paktën 13 personave lidhur me shembjen e çatisë, ndërsa qeveria ka shpallur një fushatë kundër korrupsionit. Kryeministri Milos Vucevic dhe dy ministra kanë dhënë dorëheqjen.
Ndërkohë, Vuçiç i ka përshkruar protestat si një përpjekje për “grusht shteti” dhe ka paralajmëruar për një “përballje përfundimtare” të shtunën. Në një fjalim televiziv, ai tha se nuk do të tërhiqet përballë protestave masive:
“Jam presidenti i Serbisë dhe nuk do të lejoj që rregullat të vendosen në rrugë,” tha ai, duke u bërë thirrje forcave të sigurisë të tregojnë përmbajtje, por të ndalojnë protestuesit e dhunshëm.