Ballina Lajmet Dhjetëra foshnje në Siri lindin me aftësi të kufizuara

Dhjetëra foshnje në Siri lindin me aftësi të kufizuara

Në rajonin Guta Lindore të kryeqytetit të Sirisë, Damask, i cili ndodhet nën rrethimin e regjimit, 5 për qind i foshnjave kanë lindur me aftësi të kufizuara. Doktorët thonë se përveç kushteve të bllokadës, faktor ndikues i kësaj gjendjeje mund të jetë edhe masakra me armë kimike e regjimit para 4 vitesh.

Gjinekologu në Gutan Lindore, Dr. Muhammed Bekir, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se gjatë dy viteve të fundit është rritur numri i lindjes së foshnjave me aftësi të kufizuara. “Në njësinë tonë të lindjes po lindin rreth 400 foshnje në muaj. Kurse rreth 5 për qind e tyre po lindin me aftësi të kufizuara”, thotë Bekir.

Duke folur për arsyet e mundshme të rritjes së këtij numri, Bekir thotë se “Ne këtë gjendje nuk mund ta lidhim me ndonjë arsye të drejtpërdrejtë. Mendojmë se këto po ndodhin si rezultat i mosfurnizimit të shtatzënave me vitaminat, ilaçet dhe mineralet e nevojshme. Por në vitin 2014 në rajonin Ajn Terma kishte lindur një foshnje me një këmbë.

Unë e mora në pyetje familjen e foshnjës për ta kuptuar arsyen e kësaj. Nëna dhe babai ishin viktima të sulmit kimik. Ngjarjet e tilla mund të ndodhin edhe për shkak të sulmeve kimike. Ne nuk mund ta dimë arsyen e saktë të këtyre rasteve sepse nuk kemi laboratorë për t’i analizuar ato.”

“Efekti i sulmeve kimike mund të vazhdojë ende”

Edhe Dr. Sami El-Bosh lidhur me lindjen e foshnjave me aftësi të kufizuara thotë se “Lindjet me aftësi të kufizuara kanë arsye të ndryshme. Ushqimi i parregullt, problemet në furnizimin e nënave me ilaçe, vitamina dhe minerale të nevojshme për shkak të bllokadës, si dhe arsyet gjenetike janë arsyet e para që vijnë në mend.”

Duke bërë të ditur se para disa ditësh në qarkun Arbin të Gutës Lindore ka lindur një vajzë pa krahë, Bosh thotë se “ Lindjet pa krahë apo pa këmbë mund të kenë arsye shumë më të mëdha si sulmet kimike. Ashtu siç e dini rajoni i Gutës Lindore ka qenë viktimë e sulmit kimik para disa vitesh. Efekti i sulmeve kimike mund të vazhdojë ende.”

Regjimi i Asadit më 21 gusht të vitit 2013 kishte përdorur armë kimike në rajonin Guta Lindore, Damasak, gjë që kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.400 civilëve dhe plagosjen e më shumë se 10 mijë civilëve, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.

Rajoni i Gutës Lindore, që përfshin disa krahina dhe ku jetojnë rreth 400 mijë civilë për më shumë se 5 vite ndodhen nën rrethimin e regjimit të Asadit.

Regjimi po ndalon hyrjen e ndihmave humanitare në rajon./Mesazhi/

 

Exit mobile version