E falënderojmë Allahun e Madhëruar, që na dha shëndet, jetë dhe mundësi që edhe këtë vit ta presim e ta fillojmë agjërimin e muajit Ramazan, dhe inshallah ta përfundojmë këtë muaj duke dalë faqebardhë me shpërblime të shumta nga i Madhi Zot xh.sh.! Jemi në këtë muaj të shenjtë, muaj i madhështive dhe vlerave të mëdha, muaj i mëshirës, i dritës dhe i shkëlqimit hyjnor, muaj i ibadetit dhe Kuranit. Ditët e bekuara të Ramazanit ikin mjaft shpejt. Këto janë ditët speciale të Allahut, në të cilat Ai zbret mëshirën e Tij të madhe, falë dhe plotëson lutjet e besimtarëve. Kështu që, secili prej nesh duhet ta vlerësojë këtë muaj para se të bëhet vonë. Allahu i Madhëruar krijon, veçon dhe zgjedh kë të dojë Ai, ashtu siç tha në Kuran: “Zoti yt krijon çka të dojë, dhe zgjedh kë të dojë…”(El Kasas, 68).
Allahu xh.sh., e ka veçuar këtë ymet nga ymetet e tjera me begati dhe veçori të shumta; së pari e ka veçuar me faktin se këtij ymeti ia ka dërguar Pejgamberin më të mirë dhe më të zgjedhur, Muhamedin a.s., me të cilin e ka vulosur pejgamberinë, dhe këtë ymet e ka bërë ymetin më të mirë në sipërfaqen e Tokës. Pastaj, Allahu xh.sh., këtij ymeti ia tregoi edhe obligimet, në mënyrë që lidhja e tij me Krijuesin të jetë përherë e pashkëputur. E, nga obligimet është edhe agjërimi i muajit Ramazan.
Allahu i Madhëruar e zgjodhi dhe e dalloi këtë muaj nga muajt e tjerë si muaj kur nisi zbritja e Kuranit. Megjithatë, edhe vetë brenda Ramazanit, Allahu zgjodhi ca ditë, të cilat janë më me vlerë sesa ditët e tjera. Fjala është pikërisht për dhjetë netët e fundit, e që ne në këtë shkrim po i shënojmë disa nga ato vlera. Vlera e tyre sigurisht se është më e madhe sesa vlera e 20 ditëve të para, ngase pikërisht në këto net edhe ka filluar zbritja e Kuranit, siç thotë Allahu xh.sh.:
“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji Ramazan, që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…” (El Bekare, 185).
Në këto dhjetë net, besimtarë të nderuar, është edhe Nata e Kadrit, e cilësuar si më e mirë sesa 1000 muaj, dhe e cila, para së gjithash, për ne është një rast jetik për t’u pastruar nga mëkatet dhe gabimet. Allahu xh.sh., thotë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” (El Kadër, 3).
Po si ishte gjendja e Muhamedit a.s., në 10 netët e fundit të muajit Ramazan?
Muhamedi a.s., në këto dhjetë net ishte më aktiv se kurrë më parë në adhurime, si dhe ishte më i freskët në lutje sesa kurrë më parë. Ai falej, lutej, lexonte Kuran dhe e zgjonte edhe familjen të falej me të. Aisheja r.a., tregon për Muhamedin a.s., dhe thotë: “Kur hynte dhjetëshja (e fundit), Pejgamberi a.s., shtrëngonte brezin e tij (largohej nga jeta intime), e gjallëronte natën (me adhurim) dhe e zgjonte familjen e tij?”(1)
Ftesë për llogaritje të vetvetes
Besimtarë të nderuar, kur i kalojmë 20 ditë, dhe i afrohemi shtegut përfundimtar të Ramazanit, tradicionalisht atleti mundin e tij më të madh e jep në fund të maratonës, kur është afër cakut final. Po ne, si i kemi pasur punët gjatë ditëve të kaluara të Ramazanit?! A kemi qenë prej atyre që kemi vepruar drejt e me mençuri, apo kemi qenë prej dembelëve që, si në fillim, ashtu edhe në fund, jemi njësoj!
Ja disa nga gjërat që duhet ta llogarisim veten, për ta parë nëse ato na e mundësojnë fitoren dhe na japin fuqi tani në fund të shtegut, apo anashkalimi i tyre na ka lënë mbrapa! Kemi dëgjuar shumë herë se Muhamedia.s., ka thënë për namazin në Ramazan: “Ai që e falë namazin e natës (teravitë) gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”(2) Enesi r.a., transmeton se Muhamedi a.s., ka thënë: “Allahu ka një melaqe, që për çdo namaz thërret: ”O bijtë e Ademit, ngrihuni për te zjarret tuaja që i keni ndezur dhe fikni-shuajini me namaz!”(3) Pra, le ta pyesim veten se çfarë namazi kemi bërë gjatë këtyre 20 ditëve! A ka qenë namazi ynë në përputhje me udhëzimet fetare, apo ka qenë si ata që Muhamedia.s., siç transmeton Imam Ahmedi, i ka quajtur hajnat më të këqij në Tokë: “Hajni më i keq prej njerëzve është ai që vjedh në namazin e tij.” “Si mund të vjedhë njeriu në namaz?”, – pyetën disa. Ai tha: “Nuk e kryen siç duhet rukunë dhe sexhden e namazit.”(4)
Allahu xh.sh., e ka obliguar agjërimin në këtë muaj të shenjtë, mirëpo ne le ta pyesim veten se çfarë agjërimi kemi bërë?! Agjërim të cilësuar e me devotshmëri, apo vetëm jemi larguar nga ushqimet, dhe jo edhe nga fjalët e punët e këqija? Ebu Hurejre r.a., transmeton se Muhamedi a.s., ka thënë: “Allahu nuk ka nevojë që të lërë ushqimin dhe pijen ai që nuk i lë fjalët dhe punët e këqija (gjatë agjërimit).”(5) Kjo do të thotë se largimi i agjëruesit nga gënjeshtra, e dëshmimi i rremë, shpifjet, thashethemet, fjalët dhe sjelljet e këqija, përbën një nga parimet më të rëndësishme etike të agjërimit. Në fakt, veprimet si: thashethemet e përgojimi, kurrë nuk i kanë hije myslimanit. Myslimani është i drejtë dhe i ndershëm. Ai nuk ua thyen zemrën njerëzve e nuk mban qëndrim idhnak.“(6)
Cila ishte sjellja jonë me prindër gjatë këtyre ditëve të Ramazanit? Si rikujtim për respektimin e tyre po ua sjell një hadith prej Ibën Adijit r.a., ku transmetohet se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Qëndro afër saj (përkushtoju nënës), pasi Xheneti është te këmbët e saj (në respektimin e saj)?”(7)
Myslimanë të nderuar, nga gjërat shumë të preferuara në këto dhjetë ditë është edhe itikafi.
Fjala itikaf gjuhësisht, domethënë qëndrim ose ndalim në një vend, prandaj ai që qëndron në xhami dhe bën ibadet, quhet akif, ose mu’tekif. Ndërsa në jurisprudencën islame, domethënë qëndrim në xhami me nijet (qëllim) të caktuar. Pra qëndrimi është shtyllë kryesore, kurse xhamia dhe nijeti janë dy kushte për të qenë itikafi i plotfuqishëm.(8)
Aisheja r.a., ka thënë: “Pejgamberi a.s., hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, (këtë e bënte vazhdimisht në çdo Ramazan) derisa vdiq…”(9)
Itikafi bëhet me qëllim të adhurimit-vetmimit për adhurim të Allahut të Madhëruar dhe largimit nga problemet e përditshmërisë së dynjasë. Le të rikujtojmë o vëllezër, se të këndosh Kuran do të thotë të flasësh me Allahun, se të falësh namaz do të thotë të jesh mysafir i Allahut, e kështu me radhë! Prandaj, le të vendosim se a duam apo jo të flasim dhe të jemi mysafirë të Allahut! Një prej emrave të bukur të Allahut, xh.sh., është edhe El Muxhib (Pranuesi i lutjeve). Le të bëjmë sa më shumë dua, sepse duaja është adhurim! Pejgamberi a.s., ka thënë: “Duaja është thelbi (truri) i ibadetit.”(10) Gjithashtu ka thënë: “Allahu vërtet është i Gjallë, i Ndershëm (Fisnik), dhe turpërohet t’ia kthejë bosh (duarthatë) nëse njeriu i ngre duart kah Ai.”(11)
Të gjithë ne kemi nevojë të lutemi dhe t’ia qajmë hallet tona Atij që ka në Dorë gjithçka. Të gjithë jemi të varfër për mëshirën dhe ndihmën e Tij. Sufjan bin Ujejne ka thënë: “Mos ki frikë se nuk të pranohet lutja ngaqë ke bërë gjynahe, pasi Zoti ia ka pranuar lutjen krijesës më të keqe, shejtanit! Ai iu lut Zotit t’i jepte afat deri në një ditë të caktuar, për ta larguar njeriun nga rruga e Zotit, dhe Zoti ia pranoi lutjen! Një rast tjetër një njeri adhuroi një idhull-statujë për vite me radhë, dhe ajo asnjëherë nuk iu përgjigj. Një ditë u hidhërua, e me atë inat shkoi e iu lut Allahut xh.sh., dhe ai mori përgjigje që me lutjen e parë. Xhibrili, a.s., e pyeti Allahun, xh.sh.: “Si shpjegohet kjo, o Zot i Madhëruar?”. Allahu xh.sh., i tha: “Nëse nuk i përgjigjem, atëherë ku është ndryshimi midis Meje dhe statujës?” Në fakt, Zoti gjithmonë ua pranon lutjet njerëzve.
Të mos na kalojnë këto ditë, sikurse ditët e tjera, mirëpo ta shfrytëzojmë kohën dhe momentin për të kryer sa më shumë ibadete e adhurime, në mënyrë që të bëhemi më të mirë dhe të afrohemi edhe më afër mëshirës, faljes dhe bujarisë së Allahut xh.sh..
Nata e madhe e Kadrit
Mëshira është mirësi nga ana e Allahut të Madhërishëm. Ai me mëshirën e Vet e zbriti Kuranin në Natën e Kadrit dhe ia shtoi vlerën kësaj nate. Kjo natë është Nata më e vlefshme dhe më e zgjedhur në përgjithësi. Kjo është ndodhi të cilën Toka nuk e ka përjetuar deri në atë natë. Asgjë nuk mund të krahasohet me këtë natë në aspektin e madhështisë, rëndësisë dhe ndikimit në jetën e njerëzimit. Nata e Kadrit do të thotë nata e përcaktimit dhe planifikimit, ndërsa mund të ketë kuptimin edhe të vlerës dhe pozitës. Të dy kuptimet janë në pajtim me ngjarjen e madhe kozmike, e cila do të ndryshojë botën, vlerat dhe kriteret, përpjekjet dhe aspiratat e saj. Kjo është nata madhështore të cilën e zgjodhi Allahu xh.sh., që të jetë fillimi i shpalljes së Kuranit i cili dritën e tij do ta shpërndajë fuqishëm në vetëdijen njerëzore dhe në jetën e përgjithshme të njeriut.(12)
Nata e Madhe e Kadrit i jep vlerë edhe më të madhe këtyre ditëve. Kjo natë vjen vetëm një herë në vit, dhe është më e vlefshme se njëmijë muaj. Kjo natë ofron rastin e vetëm për fitimin e mirësive të Allahut xh.sh., prandaj, duhet patjetër ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë. Allahu i Madhërishëm në kaptinën El Kadër, thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti Xhibrili për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (El Kadër, 1-5).
Siç po na tregon Zoti i Madhëruar, në këtë natë zbresin engjëjt e Tij, në krye me Xhibrilin a.s.. Ata kërkojnë falje për mua dhe për ty. Kur ti lexon Kuran, ata lexojnë Kuran pranë teje. Kur ti falesh, edhe ata falen pranë teje. Kur ti e lut Allahun për mëshirë dhe për falje, ata thonë: “O Zot, fale robin Tënd!” Engjëjt nuk zbresin nga një apo nga dy, por zbresin me turma të mëdha. Numri i engjëjve të Allahut xh.sh., nuk imagjinohet dot. Muhamedi a.s., ka thënë: ”Kur shkova në qiej, pashë që nuk kishte asnjë pëllëmbë vendi bosh, dhe në çdo pëllëmbë vendi kishte një melek që i bënte sexhde Allahut, xh.sh.”(13)
Këta engjëj zbresin për të kërkuar falje për besimtarët, për ata besimtarë që e duan faljen e Allahut xh.sh.. Në këtë natë caktohet risku dhe jetëgjatësia e njeriut. Prandaj, o vëlla, përse nuk e lut Zotin të ta shtojë riskun e të ta shtojë edhe jetën, dhe të bësh edhe disa punë të mira! Lutu tek Allahut xh.sh., në këtë natë se, inshallah, duaja jote do të pranohet. Kjo natë është falje, qetësi dhe paqe prej Zotit të Gjithësisë. Bëhu i qetë me Allahun xh.sh., dhe bëj paqe me engjëjt e Tij! paqe edhe me shejtanin e mallkuar, sepse ai nuk ka fuqi të veprojë në këtë natë dhe në Ramazan. Prandaj, le ta shtojmë ibadetin në këto ditë të fundit duke e kërkuar Natën e Kadrit. Pejgamberi a.s., e luste Allahun xh.sh., që t’ia jepte mundësinë ta arrinte Natën e Kadrit, dhe i nxiste shokët e tij, gratë dhe fëmijët, që të luten, që Allahu xh.sh., t’ua pranojë adhurimet në këtë natë, siç transmeton Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e kaluara.”(14)
Prej Ebu Hurejres r.a., transmetohet se Muhamedi a.s., ka thënë: “Mosha e ymetit tim është mes 60 e 70 vjet, e rrallëkush e kalon këtë”(15)
Kjo thënie e Muhamedit a.s., na e tërheq vëmendjen që të jemi të kujdesshëm. Sidomos ata që kanë mbushur 40 vjet, që ta dinë se i janë afruar kohës së fundit, kohës së tretë të jetës së tyre. Ata nuk mund të jenë si dikur, dhe tashmë presin në çdo moment t’u vijë melaqja e vdekjes, prandaj edhe duhet të përgatiten për të. Po kështu ndodh edhe me muajin Ramazan. Dhjetëditëshi i fundit tregon se këtij muaji po i afrohet fundi. Dashtë Zoti që këto ditë të jenë dëshmi për ne, dhe jo kundër nesh!
Nata e Kadrit është një natë më e mirë se një mijë muaj. Subhanallah! Njëmijë muaj është e barabartë me 83 vjet e 4 muaj. E, kush e përjeton këtë natë, falet për Zotin xh.sh., dhe i lutet Atij me sinqeritet, te Zoti llogaritet sikur të jetë falur e ta ketë adhuruar Allahun e Madhëruar, për 83 vjet me radhë. 83 vjet është si një jetë tjetër. Kjo është sikur njeriu të jetojë dy jetë brenda një jete. Kjo është mëshira dhe begatia e Allahut xh.sh.. Le ta marrim një shembull nga përditshmëria: ata njerëz që merren me tregti, dhe e dinë se ç’është fitimi, i shfrytëzojnë momentet kur del malli me çmimin më të lirë, dhe blejnë sa më shumë. Allahu xh.sh., na e dha Natën e Kadrit që të marrim sa më shumë shpërblime në të. Për një natë Zoti xh.sh., jep shpërblim sikur për 83 vjet, ose shpërblimin e një jete tjetër brenda kësaj jete. Në jetën tonë shpesh bëjmë gabime, dhe në adhurimet tona shpesh bëjmë lëshime dhe kemi neglizhencë. E, sevapi i kësaj nate jepet i plotë, sikurse të kishim jetuar 83 vjet, bërë asnjë gabim.
Po, a dihet saktësisht se kur është kjo natë? Zoti me mëshirën dhe urtësinë e Tij e ka fshehur këtë natë. Pra, ne nuk e dimë me saktësi se kur është kjo natë. Muhamedi a.s., ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëditëshen e fundit të Ramazanit.”(16) Gjithashtu Ubade ibën Samiti r.a., tregon se Pejgamberi a.s., doli të na lajmëronte për Natën e Kadrit, por papritmas dy myslimanë zunë të fjaloseshin, e në atë rast tha: “Dola t’ju lajmëroja për Natën e Kadrit, por, ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m’u tërhoq dituria për të. Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Andaj, kërkojeni në natën e nëntë, të shtatë dhe të pestë (të dhjetëshes së fundit).(17)
Edhe kjo ishte nga urtësitë e Allahut xh.sh.. Imagjinoni se çfarë bëjnë konfliktet mes myslimanëve, dhe sa e sa bereqet largohet nga shtëpitë dhe zemrat tona nga përçarjet! Aisheja r.a., transmeton se e pyeti Pejgamberin a.s.: “Sikur ta dija se kur është Nata e Kadrit, çfarë më këshillon të them?” E, Pejgamberi a.s., i tha: “Thuaj: O Zot, Ti je Falës i madh, Ti e do shumë faljen, prandaj më fal mua!”(18)
Të nderuar agjërues, lutuni për falje për veten tuaj, për prindërit, bashkëshortet-ët dhe fëmijët tuaj! Lutuni për gjithë myslimanët, për ata që vuajnë çdo ditë! Nuk ka koprraci më të madhe sesa mos t’i lutesh Allahut xh.sh.. Po t’i lutesh dikujt, ai mërzitet, ndërsa Allahu xh.sh., mërzitet kur nuk i lutemi.
Në fund, e lus Zotin e Gjithëmëshirshëm që ta arrijmë Natën e Kadrit, e mos të privohemi nga begatitë e saj! Të na i ketë pranuar prej nesh agjërimin, namazin, lutjet, sadakanë dhe çdo punë të mirë që e kemi bërë! Amin!
_______________
1. Sahihu i Buhariut, v. 2. Shtëpia botuese, Harfi, Prishtinë, 2024.
2. Sahihu i Buhariut, 37.
3. Taberaniu, 9686.
4. Ahmedi, 22642.
5. Sahihu i Buhariut, 1903.
6. Islami nëpërmjet haditheve, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë. 2.f. 455.
7. Nesaiu, 3104.
8. Vehbi Sulejman Gavoçi, Dispozitat e agjërimit, Prishtinë, 2008, f.111.
9. Sahihu i Buhariut, 2026.
10. Tirmidhiu, 3371.
11. Tirmidhiu, 3556.
12. Doc. dr. Shefik Kurdiq, Ramazani dhe namazi i teravive në dritën e medhhebit hanefi, Prishtinë, 2004, f.35.
13. Taberaniu, 201.
14. Sahihu i Buhariut, 2014. Muslimi, 760.
15. Tirmidhiu, 3550.
16. Sahihu i Buhariut, 2020.
17. Sahihu i Buhariut, 2023.
18. Tirmidhiu, 3513.