Dhimbja e indiferencës

Shkëputesh për një kohë të shkurtër nga aktiviteti i përditshëm, që e sheh si primar për jetën, dhe përballesh me një situatë që të përplas në pasqyrën më të pastër të vetëdijes, çështjet që vërtetë janë më primare dhe më të qenësishme. Të shpërqendruar dhe përhumbur në labirintet viciozë të dëshirave pragmatike, jeta reale na përthith për te çështjet e saj qendrore, më esencialet dhe përkufizuese të ekzistencës. Mbrëmjen e sotme ndodhesha para një paradoksi real, dhe kuptimet e tij, përveçse përcillnin në mendje dije logjike, po ashtu shkaktonin edhe dhimbje. Por ndoshta paradokset janë aty për të zbardhur vetëdijen tonë dhe për të na ndërgjegjësuar mbi përgjegjësinë.

Në një cep trotuari përpara muzeut historik kombëtar, teksa kalonin njerëz të veshur e të zbukuruar mirë, larg vështrimit dhe interesit të çdonjërit prej tyre, qëndronte e ulur një grua e moshuar me trupin e mbështjellë me rroba të vjetra, të hedhura pa kombinim e sigurisht pa modë, ndryshe prej kalimtarëve indiferentë. Disa dhjetëra metra më tutje, pasi dëshpërimi dhe zemërimi im kishin krijuar një lëmsh imagjinatash, një duzinë policësh dhe truprojash me makina luksoze shoqëronte një zyrtar të lartë të shtetit, i cili mbase ishte pjesë e shfaqjes së radhës: ishte i rrethuar nga njerëz në gatishmëri të plotë.

Ndalem për një çast në anë të rrugës, i paaftë për t’i dhënë vetes përgjigje dhe i pafuqishëm për të bërë një veprim me peshë në përmirësimin e kësaj diskrepance dramatike: brenda meje zienin të gjitha idetë filozofike mbi drejtësinë, të mirën, moralin, të gjitha teoritë sociologjike për rregullimin e shoqërisë dhe çdo tregim a rrëfenjë morale që diku e kam dëgjuar a lexuar. Për një çast të vetëm, të cilin një kritikë e hollë filozofike do ta fiksonte si një kohësi e pafundme, e gjithë qenia boshatiset.

E vazhdoj ecjen time, për të cilën nuk më pulson ndonjëfarë interesi mbi përfundjen e saj dhe ndërgjegjja e “ngjirur” me zë të “mekur” me drejtohet me disa pyetje. Ç’kuptim dhe ç’rëndësi ka të jetosh nëse nuk e ndjen dhimbjen e tjetrit? Në qoftë se ajo plakë e gjorë lyp një vogëlsirë nga sofra e kripur e materializmit të kalimtarëve, ti çfarë duhet të lypësh për të zbutur vrazhdësinë e për të përjetuar sadopak fatkeqësinë e dikujt që para pak kohe ka kaluar në të njëjtën rrugë, ashtu si ti?

Pamja e sotme është një realitet i përsëritur çdo moment, porse fakti që është kthyer në normalitet nuk e zhbën dramën që përmban në vetvete. Ajo është një dramë më e madhe se dramat e regjistruara në romane, është një fatkeqësi më e madhe se ato që regjistrojnë librat e historisë dhe artikujt e gazetave mbi ngjarjet me viktima. Nuk kemi të bëjmë me një akt kriminal a terrorist të një grupi keqdashësish e armiqsh, as me një aksident fatal edhe as me përleshje të paarsyeshme turmash. Përkundrazi, jemi përballë një gjendje konstante të mjerueshme që është kultivuar prej nesh dhe ka ngulur rrënjë aty për të shpërfytyruar fytyrën tonë morale. Ky është një sinjal i frikshëm. I frikshëm është veprimi formal i gjithsecilit, veprim i pafuqishëm për të shmangur të tilla fate “tragjikë”, dhe kështu ai përcjell veshjen hipokrite të të gjithëve ne që e konsiderojmë veten si qytetarë të këtij vendi.

Këtë situatë dhe të tjera të ngjashme i përjetojmë në qendrën më të madhe komunitare të vendit, aty ku ndodhen qarqet më të përparuara intelektuale, aty ku është përqendruar përqindja dërrmuese e ekonomisë dhe zhvillimit social të vendit, aty ku ndodhet pjesa më e madhe elitare, aty ku ndodhen shoqatat e fondacionet e pafundme bamirëse, aty ku ndodhen teatrot dhe artistët më të kualifikuar në imitimin e tragjedive njerëzore, aty ku pretendohen nismat e proceseve emancipuese, gjykatat dhe institucionet më të larta të drejtësisë, aty ku mblidhen përfaqësuesit e vullnetit të gjithsecilit për ne. Kush është drama e vërtetë në këtë rast, po fatkeqi i vërtetë?

Përgjigjja ndaj pyetjeve logjike që lindin prej situatave dhe përjetimeve të ndryshme është e lidhur katërcipërisht me kuptimin ndaj fenomeneve. Kjo gjendje sociale në të cilën jetojmë është e tillë sepse i tillë është boshti i koncepteve dhe ideve tek të cilat besojmë. Realiteti i një shoqërie tregon për mënyrën se si beson ajo tek të vërtetat metafizike, parimet dhe vlerat. Veprimet të cilat i pasojmë janë vetëm rrjedhojë e kuptimit tonë mbi gjërat sepse “vullneti dhe intelekti janë një gjë e vetme”, shkruante Spinoza. Mosreagimi ndaj së keqes lind prej intelektit të pasaktë. Shembujt e tij janë shumë dhe analiza e tyre nuk është aq e rëndësishme sa njohja e burimit prej të cilit rezultojnë këto reagime të cilat e shtojnë dhimbjen e njerëzve, të disave prej vuajtjeve që përjetojnë dhe të disave për shkak të elementëve moralë që mbartin. Indiferenca ndaj të tilla fatkeqësive e problemeve duke mos u bërë pjesë e ndihmës së njerëzve është është burim vuajtjesh të dhimbshme prej të dy kategorive, por burimi më i kryesor i dhimbjeve është indiferenca kuptimore që na pengon të formojmë ide të plota mbi fenomenet. “Sa më shumë ide jo-adekuate të ketë mendja, aq më shumë i nënshtrohet ajo pasioneve, dhe anasjelltas, sa më shumë ide adekuate të ketë, aq më shumë vepron”, thekson Spinoza.

Mjerimi i dukshëm në kontekste të ndryshme njerëzore gjithmonë ka për të ekzistuar. Mirëpo raporti ynë me të nuk duhet të jetë i njëjti. Qasja ndaj tij në faza të ndryshme ka ndryshuar dhe rrjedhimisht janë rindërtuar ndërveprimet me të. Ajo për të cilën kemi nevojë konsiston në rafinimin e dijeve, përshpirtmërinë racionale dhe përgatitjen për ndryshimin e rolit në shoqëri. Pra të kalohet në një dije mbi rrugët që shpien në atë gjendje, për t’i parandaluar. Ideja jo-adekuate se sundimi u është përcaktuar fatalisht të padrejtëve duhet zvendësuar me ide adekuate qe na bëjnë të kuptojmë ligjshmërinë e delegimit të së mirës në pushtet ashtu si është deleguar e keqja.

Autor: Romeo Ismahilaj