Dhëmballët e prishura

Gibran Khalil Gibran


Më ishte prishur njëra dhëmballë e gojës dhe bënte çmos që të më torturojë. Ajo dremiste gjatë orëve të ditës, për tu zgjuar dhe për t’a qederosur natën time, mu atëherë kur dentistët flinin për shtatë palë qejfe dhe kur farmacitë mbylleshin.
Një ditë, pasi më kishte sosur sabri, vajta tek një dentist dhe i thashë:”Ma shkul këtë dhëmballë të mallkuar që më ka privuar nga kënaqësia e gjumit dhe ma ka bërë natën ferr!”
Dentist tundi kokën dhe tha:”Është marrëzi të shkulim një dhëmb ndërkohë që mund ta trajtojmë.”
Mandej mori mjetet e tij dhe filloi të gërmojë dhëmballën, e pastroi çdo cep të saj dhe në fund e mbushi. Pasi përfundoi, e veshi me një këllëf ari dhe si me mburrje më tha:”Dhëmballa e prishur tani është më e fortë sesa dhëmbët e tjerë të shëndetshëm.”
E besova dhe pasi i ngjesha në dorë një shumë të majme, u largova buzagaz.
Por s’kaloi as një javë dhe dhëmballa e ndyrë filloi të më torturojë sërish, duke zëvendësuar meloditë e shpirtit tim me përpëlitje hjekakeqe.
Të nesërmen vajta tek një denstist tjetër dhe me një zë kumbues i thashë:”Ma shkul këtë dhëmballë të nëmur dhe mos më kundërshto! Ai që fshikullohet me kamxhikë, nuk është i barabartë me atë që numëron fshikullimat!”
Ashtu u bë. Denstisti e shkuli dhëmballën. Ishte një orë plot dhimbje e klithma, por ishte orë e bekuar.
Pasi e shkuli të mallkuarën dhe e ekzaminoi me kujdes, dentisti shtoi:”Bëre shumë mirë që e hoqe! Prishja e dhëmballës kishte depërtuar deri në rrënjët e saj dhe s’kishte vend për ta trajtuar.”
Atë natë, falë shkuljes së dhëmballës fjeta si qengj dhe vazhdoj të bëj gjumë të rehatshëm sot e kësaj dite.
Në gojën e njerëzimit ka plot dhëmballë të prishura, kariesi i të cilave ka depërtuar deri në eshtrën e nofullës, por që njerëzimi refuzon t’i shkulë e të bjerë rehat nga lëngata, duke u orvatur më kot t’i trajtojë e mbushë me ar e shkëlqim.
Të shumtë janë “mjekët” që trajtojnë dhëmballat njerëzore të prishura duke i veshur me materiale vezulluese. Të shumtë janë dhe pacientët njerëz të cilët i dorëzohen vullnetit të këtyre mjekëve reformatorë, për rrjedhojë vuajnë, e pastaj vdesin nga sëmundja, të mashtruar.
Por një popull që sëmuret dhe më vonë vdes, nuk e ka shansin të ringjallet dhe t’i rrëfejë publikut shkaqet e sëmundjes morale dhe epidemive sociale, të cilat i çojnë kombet drejt zhdukjes fatale.
Në gojën e kombit tonë ka dhëmballë të konsumuara, katran të zeza, të fëlliqta, kuntërbojnë qelb, të cilat, mjekët tanë janë rrekur t’i pastrojnë, t’i mbushin me smalt dhe t’i veshin me këllëf ari, por që nuk shërohen veçse duke i shkulur që aty. Një popull që ka dhëmballat e prishura, do të ketë stomakun e dobët dhe të shumtë janë popujt që kanë vdekur për shkak të problemeve me tretjen.
Kush dëshiron t’i shohë dhëmballët e prishura të popullit tonë, le të shkojë në shkolla, aty ku burrat e të nesërmes nuk bëjnë gjë tjetër veçse mësojnë ç’ka thënë ky e ai.
Le të shkojë në gjykata ku inteligjenca akrobatike luan me çështjet ligjore njëlloj si macja me miun.
Le të shkojë në shtëpitë e fukarenjve, të cilat janë pushtuar nga pasiguria, frika dhe injoranca.
Së fundmi, le të shkojë tek mjekët e dhëmbëve duarbutë, me plot instrumente precize, me anestezikë, mjekë të cilët i kalojnë ditët duke mbushur dhëmballë të prishur dhe duke pastruar rrënjët e tyre plot karies. E nëse do të dojë të bisedojë me ta dhe të përfitojë nga dhuntitë e tyre, do të befasohet nga inteligjenca, gojëtaria, kontributet e tyre shoqërore, pjesëmarrja në kongrese, kumtesa në forume e sheshe. Fjalët e tyre kanë ton më kumbues se kënga e gurit të mullirit dhe jehojnë më fort se kuakja e bretkosave në një natë korriku.
Por nëse u thua se “Populli e përtyp ushqimin e jetës me dhëmballë të prishur dhe se çdo kafshatë i përzihet me jargë toksike, gjë e cila i ka shkaktuar sëmundje në zorrë” ata përgjigjen:”Po, por tani për tani po shkojmë të dëgjojmë mësimin e radhës mbi anestezinë dhe drogërat më të reja.”
Kur u thuhet:”Ç’mendim keni rreth shkuljes?” ata zgërdhihen sepse nuk e kanë studiuar stomatologjinë e duhur. E nëse ua përsërit pyetjen për herë të dytë, distancohen dhe gjithë bezdi thonë me vete:”Na mbytën me fantazitë e tyre të shthurura dhe ëndrrat budallaqe.”

Gibran Khalil Gibran
Përktheu nga arabishtja: Elmaz Fida