Ballina Autorë Opinione Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë

Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë

Nuredin Nazarko

Demokracia, si sistem politik, është ngritur mbi lirinë politike, lirinë e të menduarit dhe lirinë ekonomike. Edhe sistemin arsimor ua ka përshtatur nevojave që ka një shoqëri që ndërtohet mbi lirinë. Por, edhe demokracia nuk është imune vetvetiu ndaj prirjeve për ta kontrolluar sistemin arsimor, pasi çdo pushtet politik, kur ka për qëllim zgjatjen e sundimit, merr ngjyresa totalitare, të cilat në demokraci herë forcohen e herë zbehen, gjithnjë sipas forcave politike që ngjiten e zbresin nga pushteti.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Dija është ajo që e ngriti njeriun si qenie shpirtërore, duke mos e lënë tërësisht nën pushtetin e përmasës lëndore. Dija është kandili shpirtëror i njeriut, që nuk e lë asnjëherë të humbë udhë, edhe në qoftë se pengohet e rrëzohet herë pas herë në përpjekjet e tij për të qenë njeri. Dija është kriteri dallues që e përndan mjegullën e dyshimit, errësirën e padijes dhe ia kthjellon njeriut shikimin e zemrës, përmes së cilës e njeh të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të gabuarën.

Përgjatë historisë së zhvillimit të shoqërisë njerëzore, gjithmonë ka lindur nevoja për profesione që i përgjigjen shkallës së zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror. Profesionistët gjithmonë kanë qenë të kërkuar. Duhen ide për të ndërtuar sisteme qeverisje të mira. Duhen vizionarë për të ndërtuar sisteme ekonomike dinamike. Duhen mendimtarë e filozofë që e tregojnë rrugën se si duhet ndërtuar mënyra e të jetuarit.

Arsimi, me hallkat e tij, është vlerësuar nga çdo sistem politik si pikë neuralgjike përderisa kanë bërë çmos që ta vendosin nën diktatin e tyre. Më e rëndë gjendja paraqitet nën sistemin totalitar komunist, më pastaj në atë nazist e fashist. Po kështu edhe nën diktaturat e çdo lloji ka përpjekje për ta kontrolluar sistemin arsimor. Qëllimi përfundimtar i sistemeve politike është që, duke e kontrolluar arsimin, ta diktojnë të menduarit, ngase kush kontrollon të menduarit, e sundon shoqërinë.

A ndodh e njëjta gjë edhe në demokraci? Demokracia, si sistem politik, është ngritur mbi lirinë politike, lirinë e të menduarit dhe lirinë ekonomike. Edhe sistemin arsimor ua ka përshtatur nevojave që ka një shoqëri që ndërtohet mbi lirinë. Por, edhe demokracia nuk është imune vetvetiu ndaj prirjeve për ta kontrolluar sistemin arsimor, pasi çdo pushtet politik, kur ka për qëllim zgjatjen e sundimit, merr ngjyresa totalitare, të cilat në demokraci herë forcohen e herë zbehen, gjithnjë sipas forcave politike që ngjiten e zbresin nga pushteti. E gjithë kjo skenë reflektohet në raportin mes shtetit dhe individit. Qasjet majtiste janë për forcim të kontrollit shtetëror mbi individin. Qasjet konservatore janë për zgjerim të lirisë së individit, sepse vetem duke qenë i lirë njeriu mëson të jetë i përgjegjshëm, për rrjedhojë edhe më dinamik e produktiv.

Përtej kritikave që mund të adresohen drejt sistemit demokratik, mbetet mundësia më e mirë në raport me sistemet e tjera politike, që darën e pushtetit e shtrëngojnë fort ndaj nënshtetasve. Shqipëria më së shumti e ka ndjerë këtë darë nën sundimin e regjimit shtypës e kundërnjerëzor komunist, ku gjithçka diktohej nga politika. Në vitet pas 1990-tës përpjekjet për demokratizim të sistemit politik sollën edhe përpjekjet për ta ndryshuar sistemin arsimor në sinkron me zhvillimet demokratike. Nuk është e lehtë ta ndryshosh tërësisht kursin e zhvillimeve nga një sistem totalitar në një sistem demokratik. Vështirësia shtohet edhe më shumë pasi tranzicionin drejt demokracisë, përfshirë dhe sistemin arsimor, e morën përsipër njerëz të edukuar dhe arsimuar gjatë regjimit komunist. Deshëm apo nuk deshëm, ky është realiteti.

Arsimi, si dhe çdo fushë tjetër e zhvillimeve në Shqipëri, ka qenë me këmbë drejt demokracisë, por me zemër e sy nga e kaluara komuniste. Ne pretendojmë të ndërtojmë një shoqëri demokratike, një arsim cilësor dhe konkurrues në ekonominë e tregut mbi një frymë dhe metodologji që reflekton shumëçka prej frymës dhe metodës totalitare komuniste në edukim dhe arsim, si në familje, ashtu edhe jashtë familjes. Kjo është pengesa më e madhe për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, sepse nuk frymon përpjekje për të ngjizur tek brezat e rinj lirinë, përgjegjësinë dhe vizionin që i duhet një të riu për t’i realizuar ëndrrat e tij në realitetin e sotëm, por frymon kontroll dhe bindje të padiskutueshme ndaj autoritetit. Nuk jemi për të mos e respektuar autoritetin, por ngjallja e frikës për t’iu bindur autoritetit me çdo kusht, se ndryshe e pëson, nuk është rruga e duhur për të nxitur tek brezat e rinj dëshirën për arsim e dituri.

Pengesë tjetër serioze në kushtet e tanishme është aftësia e klasës politike për të mos i kthyer sytë nga arsimi si shtylla kurrizore e një kombi. Në qoftë se arsimi do të vazhdojë të perceptohet thjesht si mundësi për të garantuar të ardhura, nuk kemi si të presim përmirësim, sepse në ekonominë e lirë të tregut ka me dhjetëra mundësi për të gjeneruar të ardhura. Nuk mund të bindësh më brezat e rinj për vlerën e shkollës me këtë mendësi. Realiteti është sfidues, por detyra është që brezat e rinj minimalisht të dëgjojnë se jeta nuk është vetëm para, por bashkë me to duhet edhe kulturë e njerëzillëk. Prandaj, arsimi duhet të kthehet në çerdhen e kulturës dhe jo thjesht të funksionalitetit sipas asaj që kërkon politika e ditës.

Pengesë tjetër serioze është mungesa e meritokracisë në tregun e punës. Brezat e rinj e shohin realitetin. Përgjegjësia për mungesën e meritokracisë bie mbi klasën politike. Mungesa e meritokracisë ia pret hovin dhe vrullin një të riu ose të reje për t’iu shtruar studimeve, sepse llogaritë nuk u dalin si duhet. Shpenzon vite studim, para, energji, vite nga jeta dhe duhet të shohësh mundësi të tjera në jetë, sepse vendet e punës mbahen peng nga nepotizmi, paternalizmi dhe korrupsioni. Në një mjedis të tillë është vështirë të ngjallësh shpresë e entuziazëm për arsim e dituri.

Pengesë tjetër serioze është dënimi me pesimizëm i brezave të rinj për të ardhmen që nuk kalon nga shkolla, ca prej familjeve, ca prej stafeve pedagogjike e më shumë prej politikave zhvilluese të arsimit. Aktorët që përfshihen në formimin e brezave të rinj sfidohen nga pyetja:

A janë të gatshëm nxënësit e shkëlqyer të zgjedhin mësuesinë me dëshirë dhe vullnet të plotë si profesion të jetës së tyre?

A ka zgjidhje? Aty ku ka probleme ka edhe zgjidhje. Zgjidhjet e mira vijnë kur ka dashuri ndaj së mirës e së drejtës dhe jo thjesht reforma imituese, të verbra e pa jetë. Tashmë nuk mund të ndërtojmë pritshmëri mbi atë se si duhej të ishin gjërat. Fjalën dhe punën e tyre stafet pedagogjike duhet ta bazojnë mbi realitetin ku gjenden. Një realitet që na sfidon me teknologjinë, globalizmin, fuqinë e parasë, pafuqinë e familjes në shumë raste për të rrënjosur moral tek fëmijët dhe, mbi të gjitha, me një nostalgji tek syresh mbi sistemin arsimor të regjimit komunist, është për t’u sfiduar.

Ky është mision. Është e lehtë të ankohesh e të qahesh gjithë kohës, por nëse arsimin e sheh si mision shpirtëror, nuk ka vështirësi të të ndalë për të thënë fjalën e mirë që del nga zemra dhe për t’i bërë brezat e rinj të të duan. E kur të të duan, do të të dëgjojnë. E kur të të dëgjojnë, tregoju rrugën që duhet për të qenë njeri dhe profesionist. Pasandaj, secili le të ecë në atë rrugë sipas dëshirës. Të ardhmen nuk mund ta kontrollojmë, por brezat e rinj duhet t’i bëjmë që në ëndrra realiste të besojnë.

Një edukim që nuk bën të ushtrohet vullneti është një edukim që i prish shpirtrat. Mësuesi duhet të të mësojë se si të duash. (Frans, A. (1990) Krimi Silvestër Bonarit. Tiranë: Naim Frashëri) /revistashenja

Exit mobile version