Seanca gjyqësore ndaj deputetëve të Kosovës Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, u shty për më 21 prill, pasi që asnjëri nga të akuzuarit, nuk ishin të pranishëm në sallë.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, e mori këtë vendim pasi që asnjë nga të akuzuarit nuk u paraqit në seancë e as dëshmitarët Nuredin Ibishi e Bekim Haxhiu.
Gjyqtari Kalludra njoftoi se e akuzuara Albulena Haxhiu ka lindur dhe sigurisht se nuk mund të prezantojë në seancë.
Gjithashtu, gjyqtari tha se edhe të akuzuarit e tjerë me siguri kane qenë të njoftuar se Haxhiu nuk do të prezantojë dhe seanca nuk do të mund të mbahet.
Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor 2015, katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Gjykimi ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.