Kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku dhe 23 të akuzuar të tjerë për arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) kanë dalë sot para gjykatës në seancën fillestare për ngjarjet e majit të vitit 2014, por seanca nuk është mbajtur për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.
24 persona, në mesin e tyre edhe Sami Lushtaku, dhe i biri i tij, Mërgimi (tani deputet i Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë dhe gardianë, janë të akuzuar nga një prokuror i EULEX-it për arratisjen e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Por tre të akuzuar, Dardan Geci, Myrvete Lushtaku e Skender Tahiri munguan në seancën e sotme dhe kjo e bëri të pamundur fillimin e saj.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 7 nëntor.
Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.
E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut, drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.
Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.
Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.
Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.
Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.