Ka dështuar edhe raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, pasi edhe në seancën e posaçme të zhvilluar sot nuk është paraqitur nga partitë politike asnjë kandidat, raporton Anadolu Agency (AA).
Edhe pse nuk kishte kandidat, raundi konsiderohet i përfunduar, ndërsa tashme kanë mbetur edhe tre raunde të tjera, pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon 5 raunde për procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Ndërkohë edhe në seancën e sotme, nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, të cilët vazhdojnë bojkotin parlamentar që prej datës 18 shkurt.
Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, duke kujtuar se votimi i dytë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit të parë, u shpreh se votimi quhet i kryer edhe kur nuk paraqitet asnjë kandidat.
Gjatë fjalës në seancë, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe Drejtave të Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, Vasilika Hysi, konfirmoi se në Kuvend deri në ditën e sotme nuk është depozituar asnjë kandidaturë për postin e presidentin të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (84 vota). Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota), nga 140 deputetë që ka gjithsej kuvendi i Shqipërisë.
Kujtojmë se edhe pse maxhoranca aktuale ka rreth 86 mandate në Kuvend, numrin e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit në dyja rastet, kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, si dhe kryetari Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht kreu i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, që drejtojnë dy partitë kryesore të kolacionit qeverisës, kanë theksuar se synojnë të zgjedhin një president konsensual, duke nënkuptuar edhe mbështetjen e deputetëve të opozitës.
Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë u zhvillua dje, edhe pse nuk ishte paraqitur asnjë kandidaturë, ndërsa raundi i tretë është përcaktuar për më 27 prill.
Kujtojmë se mandati pesëvjeçar i presidentit aktual, Bujar Nishani, përfundon më 24 korrik të këtij viti dhe në rast të mos zgjedhjes së president të ri, pas kësaj datë kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, pritet të ushtrojë kompetencat e presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Në rast se edhe pas raundit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe sipas kushtetutës së Shqipërisë zgjedhjet e reja të përgjithshme zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.