Dështimi i t.q. “Parti konservatore”

Nga: Muhidin Ahmeti

Për sa i përket partive konservatore të cilat kanë dalë nga Partia e Drejtësisë ka qenë e pritur që të pësojnë një debakël të tillë në këto zgjedhje.

Debakli i tyre qëndron në faktin që „Partia e Drejtësisë“ si subjekti i pare i këtij lloji, që nga fillimi i saj devijoi nga rruga, vizioni dhe kauza e përcaktuar nga themeluesit e saj. Partia e drejtësisë u shndërrua në „Parti të copëtimeve dhe individualizimeve” dhe nga e njëjta u krijuan 5 parti të tjera.

Për mendimin tim këtu duhet kërkuar arsyen e dështimit të tyre, e madje e shuarjes së tyre. Nuk ka elektorat të tillë, i cili do të votonte copëtimin e pafund të një partie.

Qëllimi fillestar i themelimit të kësaj partie ka qenë unifikimi dhe bashkimi i shqiptarëve dhe krijimi i një elite me personalitete me integritet të pa-kontestuar moralo-shpirtëror dhe socio-politik. Mirëpo, kështu nuk ndodhi dhe për këtë arsye në zgjedhjet e 11 Qershorit u dënuan nga elektorati i tyre. Ky me një fjalë është komprometimi i llojit të vet.

Prandaj, mos e bëni popullin fajtor, sepse ai këtë radhe ka qenë në krye të detyrës dhe e ka bërë punën e vet me përgjegjësi. Është dashur edhe pak më shumë ta kishte përdorur çekiçin intelektual të Ibrahimit (profetit) në dënimin dhe rrënimin e disa miteve dhe idhujve të instaluar gjatë këtyre 17 viteve në Kosovë në mënyrë që të kuptohej edhe më mirë fataliteti dhe destruktiviteti i tyre.