Siguria dhe stabiliteti i Kosovës po cenohen seriozisht si pasojë e vendimeve të gabuara, sidomos atyre në periudhën pas Pavarësisë. Njohës të rrethanave kanë thënë se Kosova mund të dështojë në shtetndërtim nëse vazhdon të qeveriset nga elitat e korruptuara.
Marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka futur vendin në një krizë të thellë politike, me rrezikun e shpërthimit të trazirave. Duke parë situatën e krijuar dhe pakënaqësitë e shumta me këtë marrëveshje, Kryeministri Mustafa të enjten e kaluar tërhoqi Projektligjin nga Kuvendi. Nuk është vetëm demarkacioni që ka shkaktuar frustrim tek qytetarët, shkruan sot “Koha Ditore”.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë, moszbardhja e krimeve të luftës, “kapja” e institucioneve të shtetit- po shihen si arsye të cilat mund ta fusin Kosovën në një valë trazirash.
Se situata është fragjile e kanë pranuar edhe ndërkombëtarët, të cilët ende kujdesen për sigurinë e Kosovës. Madje në rast dështimi të institucioneve vendore, KFOR-i ka paralajmëruar intervenim për të vënë kontroll.