Dështimet e dy dekadave

Institucionet e Kosovës nuk ia kanë dalë të krijojnë mirëqenie të duhur për qytetarët.

Shkalla e lartë e papunësisë dhe e varfërisë, ngecjet në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, mosshuarja e strukturave paralele në veri, mosliberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian vlerësohen dështimet kryesore të institucioneve të Kosovës në dydekadëshin e çlirimit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

12 qershori i këtij viti ka rrumbullakosur dydekadëshin e çlirimit të Kosovës. Por edhe tash kur kanë kaluar 20 vjet nga Dita e Lirisë, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të ballafaqohen me probleme të shumta duke u nisur nga shkalla e lartë e papunësisë e deri te izolimi.

Përgjatë këtyre 7300 ditëve institucionet e Kosovës nuk ia kanë dalë të krijojnë mirëqenie të duhur për qytetarët.

As sektori i arsimit e as ai i shëndetësisë sipas njohësve të fushave përkatëse nuk kanë arritur progres të mjaftueshëm gjatë kësaj periudhe kohore.

Pos këtyre, krerët institucionalë të Kosovës nuk kanë arritur t’ua mundësojnë qytetarëve lirinë e lëvizjes – liberalizimin, ndonëse një gjë të tillë kishin nisur ta premtonin menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kosovarët po vazhdojnë të jenë banorët e vetëm të Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë të drejtën për të dalë jashtë vendit pa viza.