Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i njëzetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe pse ai po dëshmon nën masa mbrojtëse, një pjesë e dëshmisë së tij është dhënë e hapur për publikun. Sipas tij, anëtarë të UÇK-së i kishin marrë një familjar për të cilin ka thënë se nuk di asgjë prej vitit 1998.
Seanca me të dhënat personale të dëshmitarit ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa më pas ai ka konfirmuar se është intervistuar nga ZPS-ja në shtator të vitit 2019 ndërsa ka dhënë deklarata për institucionet në Kosovë edhe në mars të vitit 2000.
Pyetjet e prokurores Ruth-Mary Hackler janë fokusuar rreth familjarit të dëshmitarit me kodin 4368, për të cilin ai pretendon se është marrë nga UCK-ja në vitin 1998 dhe prej atëherë askush nuk di asgjë për të.
Personi që pretendohet të jetë i zhdukur është quajtur “i afërmi numër 1”. Prokurorja Ruth-Mary Hackler ka lexuar një përmbledhje të dëshmisë së tij.
“Në vitin 1998 disa anëtarë të armatosur të UÇK-së erdhën në shtëpinë e familjes së 4368 dhe morën një prej të afërmeve te tyre për t’u marrë në pyetje. 4368 dhe personat e tjerë shkuan në mënyrë të vazhdueshme në shtabin lokal të UÇK-së dhe çdo herë ju kërkuan zyrtarëve të UÇK-së informacion rreth të afërmit të tyre por asnjëherë nuk morën asnjë informacion. Edhe sot e kësaj dite 4368 dhe familja e tij nuk e kanë parë më të afërmin e tyre dhe eshtrat e të afërmit nuk janë gjetur asnjëherë”, ka thënë prokurorja.
Tutje, prokurorja ka thënë se në seancën përgatitore dëshmitari ka thënë se familja e tij ishin mbështetës të Ibrahim Rugovës por ata sipas tij përkrahnin edhe UÇK-në.
Lidhur me këtë, dëshmitari është përgjigjur me përmbajtje të redaktuar.
Dëshmitari ka thënë se asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë informatë prej UÇK-së lidhur me vendndodhjen e familjarit të tij ndërsa ka thënë se “I afërmi numër 1” nuk ishte spiun.
Me këtë kanë përfunduar pyetjet e prokurorisë, ndërsa ato të mbrojtësit të viktimave janë transmetuar me përmbajtje të redaktuar.
Seanca është duke u zhvilluar me intervistimin e dëshmitarit nga avokati i ish-presidentit Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.