Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, salavati dhe selami qofshin mbi Muhammedin a.s. mbi familjen e tij të pastër, sahabët dhe gjithë pasuesit e tij deri në ditën e Gjykimit.
Ditëve në vijim do t’i nënshtrohemi temperaturave të larta të cilat janë begati nga ana e Allahut, por edhe sprovë dhe vërtetim i imanit tonë të sinqertë, turpit dhe moralit.
Është e qartë se ditëve të nxehta u gëzohet si natyra ashtu edhe njeriu. Por, është koha dhe momenti që ta shikojmë veten në sy dhe të bëjmë disa pyetje. Pyetjet janë: ku është turpi ynë, përse zbehet imani ynë? Ku është turpi te nënat dhe motrat tona, bijat tona të cilat gjysmë lakuriq ecin rrugëve, të parfumosura dhe të rregulluara duke nxitur shikimet epshore të të tjerëve. Ku është turpi i njerëzve tanë që të ulin kokën për të mos shikuar haram? Si nuk turpërohemi nga Allahu, nga fëmijët tanë, duke shikuar skenat e turpit në ekranet e TV serialeve? Ku është turpi dhe imani ynë?
Andaj, ja tani është momenti dhe nevoja t’i përkujtojmë besimtarët duke treguar rëndësinë e mbajtjes së imanit, turpit dhe moralit, sepse kemi të bëjmë me gjëra tejet të ndjeshme në fenë, kulturën dhe traditën tonë.
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri.
“O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’iu dalë në shesh lakuriqësia e tyre.
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz, hani dhe pini e mos e teproni pse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).”(1)
Allahu i madhërishëm përkujton robërit e Tij në petkun dhe zbukurimet që u ka dhënë. Me petk mbuloni pjesët e turpshme të trupit, ndërsa me zbukurim të jashtmen tuaj. E para është e domosdoshme, ndërsa e dyta në gjërat plotësuese.
Në fjalët e Allahut të madhërishëm, përmendet dhe potencohet rëndësia e ruajtjes së turpit si cilësi zbukuruese e secilit besimtar dhe besimtare, sepse sipas fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s. “. . . el – hajau minel iman.” – Turpi është pjesë e besimit. Ndërsa imani është shenjë mbrojtjeje e muslimanit dhe ngushtë i lidhur me turpin dhe moralin. Për këtë kjo ruhet si drita e syve tu!
Pra, kur ruhet turpi, ruhet imani dhe morali, si i individit, ashtu edhe i familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.
Nëse përpiqemi të definojmë turpin, atëherë mund të definojmë si një cilësi e lavdëruar e cila shtyn njeriun ta braktisë atë që është e keqe nga të folurit, veprat, sjelljet dhe cungimit të të drejtave të dikujt.
Sheharnefuri në komentin e tij të “Sunenit” të Ebu Davudit ka thënë: “Turpi është ndjeshmëri e cila largon shpirtin nga ajo që është e përbuzur në Sheriat ose në traditën e njerëzve.”
Një dijetar tjetër ka thënë: “Turpi është një cilësi fisnike, e cila si zë i brendshëm i ndërgjegjes e ruan njeriun nga çdo e keqe.”
Ebu Hurejre r.a. transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Imani përbëhet nga shtatëdhjetë e ca degë ose gjashtëdhjetë e ca degë, më e mira është thënia ‘La ilahe il-lall-llah’, më ulët mënjanimi nga rruga e asaj që pengon njerëzit, ndërsa turpi është degë e imanit (el – hajau sh? betun minel iman.”(2)
Nga Ibn Omeri r.a. transmetohet që Pejgamberi a.s. ka thënë: “Turpi dhe imani gjithmonë janë pranë njëri-tjetrit, kur njëri zhduket, zhduket edhe tjetri.”(3)
Turpi manifestohet mes robit (njeriut) dhe Zotit të tij, kështu robi turpërohet që Zoti i tij e sheh në gjendjen e padëgjueshmërisë, mëkateve dhe kundërshtimit.
I Dërguari i Allahut e ka shpjeguar kuptimin e turpit në mes robit dhe Allahut në hadithin që e transmeton Tirmidhiu, ku thotë: “Shpreheni turpin ndaj Allahut me sinqeritet.” “Ne turpërohemi, o i Dërguar i Allahut.” u përgjigjën sahabët, ndërsa ai tha: “Nuk kam menduar në këtë, kush turpërohet nga Allahu me sinqeritet le të ruajë kokën dhe atë që është në te (mendjen), le të kujtohet për stomakun dhe atë që gjendet në te, le të përkujtojë vdekjen dhe sprovat dhe kush anon për ahiret le t’i lërë zbukurimet e dynjasë. Ai i cili i plotëson këto, ai me të vërtet turpërohet nga Allahu i madhërishëm.”(4)
Në këtë hadith Pejgamberi s.a.v.s. shpjegon që turpi është ruajtje e gjithë organeve tuaja trupore nga gjithë gjërat e ndaluara, pastaj përkujtimi i vdekjes, dhe mos lërja e ahiretit duke iu lëshuar kryesisht dynjasë dhe lukseve të saj.
Turpi paraqitet mes njeriut dhe tjerëve, ky është turp i cili pengon njeriun të bëjë atë që nuk i përshtatet, sepse ky nuk dëshiron që njerëzit të zbulojnë tek ai ndonjë të metë apo mangësi, për çfarë turpi i tij e ndalon të bëjë vepra të këqija dhe të pamoralshme.
Hafiz El – Munavi thotë: “Ekzistojnë dy lloje të turpit: shpirtëror me të cilin secili shpirt është i krijuar, si p.sh. turpi nga zbulimi i vendeve të turpshme ose turpi nga marrëdhënia intime para njerëzve tjerë, dhe turpi i imanit, ky është turp i cili ndalon myslimanin të bëjë vepra të këqija dhe të pamoralshme, për shkak të frikës ndaj Allahut.”
Islami, gjithsesi, këshillon posedimin e kësaj cilësie të lartë duke shpjeguar vlerën e saj dhe dobinë për njeriun në këtë dhe në botën tjetër. Nga hadithet që flasin dhe këshillojnë për turpin gjithsesi është hadithi:
“Nga fjalët që njerëzit i kanë mbajtur mend nga tregimet e pejgamberëve të mëparshëm është edhe kjo: “Kur nuk ke turp bën çfarë të duash”.(5)
Nga Selman El – Farisiu transmetohet që ka thënë: “Kur Allahu i dëshiron robit të Tij shkatërrim, ia merr turpin, e kur ia merr turpin e sheh kryesisht të urrejtur.” Ndërsa nga Ibn Abbasi transmetohet që ka thënë: “Turpi dhe imani janë të lidhur ngushtë, andaj kur humb turpi, humb edhe imani.”
Nga gjithë këto versete, hadithe dhe thënie shohim se sa turpi është i lidhur me iman, dhe kur ka turp ka edhe iman, ka moral dhe namaz, dhe kur nuk ka turp, ka mëkate të gjitha llojeve, ngjyrave dhe peshave.
Turpi është, por mjerisht mund të konstatojmë të gjithë që në kohën e sodit ka rënë ndjeshëm, ndërsa te disa njerëz është zhdukur tërësisht, për këtë janë shumuar mëkatet dhe veprat e këqija e në sipërfaqe ka dalë paturpësia. Veprat e paturpshme janë bërë gjë e rëndomtë, dhe njerëzit të keqen dhe të neveritshmen kanë filluar ta shohin si të bukur dhe tërheqëse.
Pra ne po flasim për turpin në mes myslimanëve, ngase Perëndimi që moti e ka humbur turpin. Sot, në Perëndim homoseksualët para kamerave martohen, prostitucioni bëhet edhe me anë të telefonit. Prindërit, babai, nëna dhe fëmijët pa kurrfarë turpi shkojnë në det, pishina dhe këtë e shohin si gjë krejt normale.
Vëllezër dhe motra, ne nuk duhet pasuar atë që bëjnë pabesimtarët, ne duhet të dallojmë prej tyre. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Dallohuni prej pabesimtarëve.”
Vera është para nesh – shumica do të udhëtojnë këtu apo aty. Ju këshilloj juve dhe veten që ta ruajmë imanin, islamin, turpin dhe moralin. Le të dallojmë nga pabesimtarët. Mos ta ekspozojmë veten dhe fëmijët tanë nga xhehenemi i pishinave, deti dhe plazhet.
Ngase Allahu i madhërishëm përkujton e thërret: “…Kul naru xhehenneme eshshedu harra …”
“Thuaju: “Zjarri i xhehenemit ka vapën edhe më të fortë …”(6)
Si dhe verseti:
“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”
All-llahumme in-ni eudhu bike min munkeratil-ahlaki vel a’mali vel ehvai.
O Zoti im, kërkoj mbrojtje tek Ti nga sjelljet e paturpshme, nga veprat, fjalët dhe dëshirat e këqija.
– AMIN –
1. El – A’rafë, 26 – 27 dhe 31
2. Muslimi, Ebu Davudi, Nesai dhe Ibn Maxhxheh
3. Hakimi
4. Tirmidhiu
5. Ahmedi, Buhariu, Ebu Davudi, etj.
6. Et – Teube, 81