Dëshmia shëndetësore e COVID-19 shtyn francezët të darkojnë në restorantet belge, përtej kufirit

Capital Brussels Belgian Europe Belgium

Dëshmia shëndetësore e COVID-19 që tani kërkohet për klientët në Francë, u ka shkaktuar telashe shumicës së pronarëve të lokaleve franceze. Klientët e restoranteve në kufi me Belgjikën, po kalojnë kufirin për të darkuar në restorante belge.

Përmes kësaj dëshmie, qytetarët duhet të provojnë nëse janë testuar negativë me COVID-19 ose se janë të vaksinuar.

Për profesionistët e mikpritjes që punojnë në rajonet kufitare të Francës, kjo dëshmi mund të jetë një kërcënim jetik për bizneset e tyre.

Në Saint-Jans-Cappel, pranë kufirit belg, pronarja e restorantit “Le Chalet du Mont Noir”, Bénédicte Duyck është e shqetësuar.

Klientët, mjafton të kalojnë rrugën dhe mund të gjejnë një restorant belg, i cili nuk kërkon një dëshmi në lidhje me COVID-19.

Nga momenti që kjo dëshmi hyri në fuqi, në restorantin “Le Chalet du Mont Noir” nuk është bërë ende asnjë rezervim për fundjavën.

“Fundjavën e kaluar, blloku i rezervimeve ishte i mbushur. Kisha më shumë se 300 njerëz gjatë fundjavës dhe refuzova pothuajse 200 persona. Për këtë fundjavë nuk po marr asnjë telefonatë, përveç gazetarëve”, tha Duyck për Euronews.

Vetëm 100 metra larg, një konkurrent belg tashmë po pret klientë francezë, si rezultat i masave të reja antiCOVID në Francë.

“Dje kishim shumë më tepër njerëz se zakonisht dhe shumë klientë na pyetën nëse dëshmia e shëndetit ishte e detyrueshme në Belgjikë,” tha Didier Delval, i cili menaxhon restorantin “L’Horloge Inversée” në Heuvelland të Belgjikës.

Problemi, tha Delval për Euronews, është se ai nuk ka fuqi punëtore për të përballuar klientët francezë që janë shtuar.

“Ne jemi tashmë të mbingarkuar dhe po përpiqemi të rekrutojmë punonjës,” tha ai.

Duyck, nga ana tjetër, u shpreh e zhgënjyer që autoritetet franceze nuk po marrin parasysh sfidat që hasin restorantet që ndodhën në rajonet kufitare.

“Në radio, në televizor po shohim ministrat tek hanë në restorante dhe janë të lumtur tek shohin që gjërat po shkojnë pa probleme në lidhje me shëndetin. Por ata nuk erdhën në rajonet kufitare dhe nuk panë situatën e restoranteve kufitare,” tha ajo për Euronews. /euronews