Shteti i Kosovës i konsideron sekret shumë prej dokumenteve për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, që mbahen në divizionin e themeluar për t’i ndihmuar ata financiarisht. Për ata që mund ta publikojnë ndonjërin prej këtyre dokumenteve, parashihet dënim me burgim deri në dhjetë vjet.
Të akuzuarit e Gjykatës Speciale po mbështeten nga shteti jo vetëm moralisht e me kampanja si “Liria ka emër”. Të gjitha shpenzimet që lidhen me procesin të cilit duhet t’u nënshtrohen ata në Hagë, ua heq shteti të cilin shumë prej tyre e udhëhoqën për pjesën më të madhe pas çlirimit.
Sipas Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, deri tani janë shpenzuar 60 mijë e 813 euro për ata që mund të akuzohen. Asnjë pjesë e këtyre mjeteve nuk është ndarë për ata që aktualisht ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ky divizion ka thënë për Express se nuk mund të ofrojë qasje në dokumente shtesë, pasi këtë ua ka ndaluar ish-kryeministri Ramush Haradinaj me një vendim të 31 janarit të vitit të kaluar.
“Sa i përket kërkesës suaj, bazuar në Ligjin nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar, të dyshuar ose të përfshirë në çfarëdo forme në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, ri-theksojmë se nuk mund të ofrojmë qasje në dokumente shtesë, pasi që këto dokumente janë të klasifikuara në bazë të Vendimit nr. 2192/2019, të datës 31 janar 2019 të Kryeministrit, përkitazi me Ligjin nr. 03/L178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë”, thuhet në përgjigjjen e këtij divizioni.
Vendimi me të cilin këto dokumente janë cilësuar si “sekret” nuk gjendet në web-faqen e Zyrës së Kryeministrit, ku janë dokumentet tjera të vendimeve të kryeministrit dhe Qeverisë. Këtë vendim, Gazeta e ka siguruar vetëm pasi ka kërkuar qasje në dokumentet e Zyrës së Kryeministrit.
“Informacionet që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Proktuorit të Specializuar janë informacione të nivelit “SEKRET” dhe mbrohen nga qasja e personave të paautorizuar”, thuhet në vendimin që mban nënshkrimin e Ramush Haradinajt.
Sipas vendimit, qasja lejohet vetëm në dokumentet lidhur me mjetet financiare për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare për të akuzuarit e mundshëm.
“Përjashtim nga pika 1 e këtij vendimi janë informatat që kanë të bëjnë me mjetet e shpenzuara financiare përkitazi me mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare që ndërlidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në pikën 2 të vendimit.
Sipas arsyetimit të ish-kryeministrit në vendim, vlerësohet se publikimi i dokumenteve shtesë i dëmton interesat e sigurisë së Kosovës.
“Marrë parasysh se procesi që ndërlidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili përcaktohet me Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën Prokurorit të Specializuar dhe Ligjin nr.05/L-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të Akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara, si dhe frymën e këtij Ligji, është vlerësuar se hapja e paautorizuar e informacioneve të tilla do t’i dëmtonte seriozisht interesat e sigurisë së Kosovës, si dhe informacionet e tilla kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me marrëdhëniet me jashtë të Republikës së Kosovës, si dhe integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Deri në dhjetë vjet burgim Sipas Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, ata që publikojnë dokumente për të akuzuarit e Speciales që Haradinaj i ka konsideruar si “sekret”, dënohen me nga tri deri në dhjetë vjet burgim.
I njëjti dënim parashihet edhe për bartësit e informacioneve të klasifikuara si “sekret” që në cilëndo formë nuk i mbrojnë këto dokumente.
“Personi i cili publikon pa autorizim informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji si “SEKRET”, dhe cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim prej tri deri dhjetë vite”, thuhet në pikën 2 të nenit 50 të këtij ligji.
Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë
Zyra e Prokurorit të Specializuar: Ky divizion dirigjohej nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli Prokurori i Specializuar, Jack Smith, i ka kushtuar vëmendje të veçantë Divizionit për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në kërkesën që ia kishte dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou për ta aprovuar lëshimin e urdhërarrestit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin në fillim të nëntorit.
Smith e përshkruan këtë divizion si tërësisht në shërbim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërsa konsideron se paratë që dilnin nga aty nuk jepeshin sipas kritereve.
“Është e dukshme se paratë e paguara nga Divizioni nuk jepen në përputhje me kriteret e qëndrueshme dhe ka pak lidhje me shpenzimet legjitime të bëra”, thuhet ndër tjerash në pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e këtyre mjeteve, prokurori Smith i konsideron si pagesa korruptive. Ai pretendon se Thaçi dhe Veselit tentonin të ndikonin në dëshmitarë duke paguar njerëz dhe se sipas tij, qëllimet e tyre kanë tentuar t’i arrijnë përmes ministrit të atëhershëm të Drejtësisë, Abelard Tahirit, i cili e kishte emëruar Driton Lajçin udhëheqës të këtij divizioni. Zyra e Prokurorit të Specilziuar thotë se Tahiri dhe Lajçi ishin njerëz besnikë të Thaçit dhe Veselit.
“Kohët e fundit, zyrtarët qeveritarë besnikë të THAÇI dhe VESELI kanë kryesuar mbi pagesat korruptive të Qeverisë për dëshmitarët e mundshëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ministri (i atëhershëm) i Drejtësisë, Abelard TAHIRI, emëroi Driton LAJÇIN në krye të një Divizioni për Koordinimin e procesit të mbrojtjes ligjore dhe mbështetjes financiare për të Akuzuarit Potencialë në Gjyqe para Dhomave të Specializuara brenda Ministrisë së Drejtësisë. Abelard TAHIRI ka punuar gjerësisht me THAÇIN në role të shumëfishta, [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR]. Direkt para marrjes së rolit si drejtues i Divizionit, LAJÇI ka punuar si këshilltar i VESELIT dhe e ka njohur THAÇIN për mbi 25 vjet, pasi ka qenë anëtar i këshillit nismëtar të PDK-së THAÇIT më 1999”, thuhet në kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas prokurorit të specializuar, Jack Smith, nuk kishte nevojë të bëheshin këto pagesa.
“Sipas LAJÇIT, Divizioni përpunoi kërkesat për pagesat e pretenduara për ‘Çështjet gjyqësore dhe shpenzimet e udhëtimit’ për të dyshuarit që paraqiten para Zyrës së Prokurorit të Specializuar, edhe pse Dhomat e Specializuara tashmë i rimbursojnë të intervistuarit për shpenzime”, thuhet ndër tjerash në pretendimet e ZPS-së.
Kërkesa e ZPS-së për lëshimin e urdhër arrestit ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve
Në këtë kërkesë, përmendet edhe një rast, ku ZPS thotë se nuk kishte parë prova që njëri nga të intervistuarit kishte aplikuar ndonjëherë për mbështetje financiare nga ky divizion, ndonëse kishte marrë para.
Sipas pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përmes pagesave nga ky divizion, Thaçi dhe Veseli përpiqeshin të siguroheshin se si do të paraqiteshin para hetuesve në Hagë ata që ftoheshin për intervistim.
Sipas divizionit, shteti u ka dhënë para vetëm tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së
Në nëntor, Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në një përgjigje për Express ka thënë se deri tani për të akuzuarit e mundshëm të Speciales janë shpenzuar 60 mijë e 813 euro. Nga gjithsej 70 mijë euro që ishin ndarë, 9 mijë e 187 i ishin kthyer buxhetit të shtetit.
Sipas këtij divizioni, të gjitha shpenzimet ishin bërë në shkurt dhe mars të vitit 2019, kur Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj. Më 5 shkurt, janë ndarë 30 mijë euro, ndërsa më 19 mars, 40 mijë euro.
Më 5 shkurt të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 30 mijë euro për tre ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për Sylejman Selimin ishin ndarë 13 mijë e 822 euro, ndonëse sipas vendimit ai kishte kërkuar t’i ndaheshin 20 mijë euro; për Sami Lushtakun ishin ndarë 9 mijë e 187 euro, ndërsa për Mahir Hasanin 6 mijë e 991 euro. Në bazë të përgjigjes së divizionit, mjetet që i ishin ndarë Sami Lushtakut, ai ia kishte kthyer buxhetit të shtetit.
Muajin pasues, më 19 mars 2019, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë edhe 40 mijë euro. Këtë herë, të gjitha mjetet kishin shkuar për ish-komandantin e UÇK-së, Lahi Brahimajn.
Lahi Brahimaj, Sylejman Selimi dhe Mahir Hasani, sipas këtij divizioni, deri tani janë të vetmit të cilët kanë marrë mjete financiare nga shteti. Asnjëri prej tyre aktualisht nuk është i akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në ditën kur u miratua Ligji për Dhomat e Specializuara në gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar edhe një ligj, sipas të cilit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara do të kishte të drejtën të merrte ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.
Udhëzimi administrativ parashihte që ministria ta krijojonte një komision, të emëruar nga ministri i Drejtësisë, që do të udhëhiqej nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë, e që do të vendoste për miratimin ose refuzimin e kërkesave për financim të mbrojtjes ligjore.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, para pak ditësh ka thënë se kanë ndarë 20 milionë euro për të akuzuarit e Speciales. Shtatë milionë janë ndarë për mbrojtje të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale dhe 13 milionë rezervë.