Ballina Kulturë Feja Dera që nuk mbyllet!…

Dera që nuk mbyllet!…

Përshtati Elmaz Fida-Do tu tregoj historinë e një familjeje amerikane, e cila ka gjashtë fëmijë. Babai i tyre është bujk, me konstrukt fizik të fuqishëm, gjithë muskuj dhe i vendosur tu shkojë gjërave gjer në fund. Nëna e tyre, është një zonjë mendjemprehtë, amvisë e mirë dhe me parime.

Ajo i edukon fëmijët me durim, vetëpërmbajtje dhe maturi. Kjo vazhdoi derisa këta të fundit filluan të rriten dhe të hedhin shtat.

Një ditë, djali më i vogël doli në lëndinat përreth shtëpisë duke luajtur. Në një çast, ngjitet sipër një shkëmbi dhe hidhet që andej. Kur ra përtokë, ndjeu një dhimbje të fortë në gjunjë, një dhimbje e padurueshme për një fëmijë në moshën e tij.

Megjithatë, ai duroi dhe nuk i tregoi askujt se çfarë kishte ngjarë. Të nesërmen u ngrit dhe vajti në shkollë si gjithmonë, në këmbë.

Dhimbja vetëm sa i shtohej dhe në të njëjtën masë i shtohej dhe durimi. Kaluan dy ditë dhe këmba filloi ti mavijosej në gjunjë, saqë nuk hidhte dot asnjë hap.

Nënës gati nuk i plasi zemra nga meraku. Pasi njoftoi dhe të atin i cili u shqetësua shumë, e pyetën se çfarë kishte ngjarë. Ai u tregoi gjithçka. Prindërit e shtrinë në krevat dhe njoftuan menjëherë doktorin.

Me të hyrë brenda, doktori vajti tek djali dhe kuptoi që nuk kishte aspak kohë, këmba duhej prerë menjëherë, përndryshe mund të helmohej gjaku dhe djali të vdiste. Ai i mori dy prindërit mënjanë që mos e dëgjojë djali dhe u pëshpëriti se çfarë duhej bërë.

Megjithatë, djali i vogël e dëgjoi pëshpërimën e doktorit se do i pritej këmba dhe filloi të bërtasë:”Jo, mos ma prisni këmbën time! Mos ma prisni këmbën! Baba më shpëto!”
Mandej u ngrit në njërën këmbë dhe u orvat të largohej, por i ati e kapi dhe e shtriu sërish në krevat.

Ai filloi të thërrasë të ëmën:”Mama, më shpëto mama! Mos lejo të ma presin këmbën!”
Nuk kishte gjë më të dhimbshme për të ëmën në ato çaste, zemra ia thoshte të brofë dhe ti vijë në ndihmë të birit, ndërkohë që mendja i thoshte që këmba e tij duhej sakrifikuar për hir të jetës.

I biri e shihte siç sheh një njeri i mbytur dikë që mund ta shpëtojë. Kur i pa që as i ati dhe as e ëma nuk po lëviznin, ai i humbi shpresat tek ata prandaj dhe filloi të thërrasë vëllanë e tij pak më të madh në moshë. “Edgar” thërriste ai me sa kishte mundësi, ishte një thirrje ku përziheshin fjalët me ngashërimet. “Edgar, Edgar, ku je vëlla? Hajde më ndihmo se duan të më presin këmbën!”

I dëgjoi britmat e thirrjet e vëllait të tij dhe hyri gjithë hov brenda në dhomë, drejtoi trupin, fryu gjoksin dhe qëndroi para prindërve dhe doktorit si një tigër gati për sulm. Sytë e tij sikur lëshonin shkëndija zjarri dhe vendosmërie të palëkundur.

“Askush të mos i afrohet tim vëllai!” u bërtiti gjithë inat ai.
I foli e ëma, i foli i ati, por atij nuk ia bënte syri tërr. I vëllai kapej pas tij, i lutej dhe i përgjërohej ta mbrojë që të mos ia presin këmbën.

I ati u orvat ta largojë me forcë, por ai filloi ti gjuajë të atit me ç’të mundej, kërcente e hidhej përpjetë vetëm si e si ta largojë të atin nga i vëllai. Edhe përpjekjet e doktorit për ta bindur dështuan.

Në kushte të vështira, kur njeriu ndihet ngushtë, bën mrekullia. A e keni parë klloçkën sesi sulmon pa mëshirë kur dikush orvatet të afrohet tek zogjtë e saj? A e keni parë macen se si i nxjerr dhëmbët kërcënues dhe thonjtë nëse e zë në qoshe?

Pula shndërrohet në skifter dhe macja në ujk në raste vështirësie, kurse Edgar ishte shndërruar në një burrë të fuqishëm, në një bodyguard të palëkundur, luante muri e nuk luante ai vendit.

Duke mos pasur zgjidhje tjetër, e lanë dy ditë me të vëllanë, me shpresë se do të mërzitet dhe do i humbasë shpresat, por ai nuk luante vendit. Qëndroi dy ditë në këmbë tek dera e dhomës së vëllait duke i bërë rojë.

Për dy ditë, ushqimi i vetëm i tij ishin vetëm disa kafshata, të cilat ia ofruan nga larg. Kurse për gjumë, nuk mbylli sy, përveç ndonjë dremitjeje të pavullnetshme. Doktori vinte e largohej.

Ndërkohë që këmba e djalit vetëm sa përkeqësohej. Kur doktori pa që nuk kishte më shpresë, shkundi duart dhe u tha se tashmë edhe sikur ti pritej këmba djali do të vdiste dhe u largua i dëshpëruar.

– Kur ishte larguar doktori dhe demoralizimi kishte lëshuar rrënjë në zemrat e të gjithëve, zemrën e prindit në panik, zemrën e vëllait dhe të tjerëve, nuk kishin më zgjidhje tjetër. Ata ishin në nivelin e “personit në hall”, prandaj dhe i ngritën duart nga Zoti, në dorën e të Cilit është shërimi.

Të gjithë luteshin me ngashërime, çfarë tu dilte nga goja. Zoti që shëron nëpërmjet ilaçit dhe mjekësisë, është në gjendje të shërojë edhe pa ilaçe dhe pa mjekë. Të gjithë i kishin ngritur duart nga qielli dhe thërrisnin e përgjëroheshin:”O Zot”, luteshin me lutjet e njeriut në hall dhe në kulmin e vështirësisë.

Dhe Zoti ia pranon lutjet një njeriu të tillë, edhe nëse është njeri i poshtër, edhe nëse është jobesimtar. Familja në fjalë, pas lutjeve dhe përgjërimeve të gjata, pas kushedi sa lotësh dhe ngashërimesh, vunë re se këmba e djalit kishte filluar të përmirësohej, enjtja kishte filluar të ulej, mavijosja ishte reduktuar dhe dhimbja ishte lehtësuar.

Disa ditë më vonë, djali mund të ecte në këmbë pa asnjë problem. Doktori i tij erdhi dhe nuk u besonte dot syve!

Mund të thoni se është histori imagjinare, se e kam shpikur unë vetë etj… Por çfarë do të thoshit po t’ua tregoj edhe personin të cilit i ka ngjarë kjo? Djali në fjalë, u bë shumë i famshëm më vonë dhe është ai vetë që e tregon këtë rast.

Ai është Aizenhauer, komandanti i përgjithshëm i forcave aleate në luftën e dytë botërore dhe presidenti i Amerikës më vonë!!/Mesazhi/

Exit mobile version