Ballina Lajmet Kosovë Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsisë në...

Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsisë në 13 vjet

Shumë media gjermane kanë raportuar pas publikimit të rezultateve zyrtare të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Mes tyre është edhe revista prestigjioze Der Spiegel.

Revista gjermane ka shkruar se njerëzit po e lënë Kosovën. Arsyet për këtë janë mundësitë më të mira për punë në vende e Bashkimit Evropian. Në largimin e njerëzve po ndikon edhe situata e tensionuar edhe më tej mes serbëve dhe shqiptarëve.

“Ky vend ballkanik po vuan nga një eksod masiv i njerëzve që kërkojnë punë jashtë vendit”, thekson Der Spiegel, ndërsa shton se “bazuar në vlerësimet zyrtare, më shumë se 800,000 kosovarë jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, kurse prej tyre rreth gjysma jeton në Gjermani”.

“Sipas rezultateve zyrtare të regjistrimit, të publikuara të enjten nga Agjencia Shtetërore e Statistika, Kosova ka humbur pothuajse dymbëdhjetë për qind të popullsisë së saj në 13 vjet”, theksohet në raportin kësaj reviste.

Përderisa në shtetin ballkanik në vitin 2011 jetonin 1.8 milionë njerëz, aktualisht janë vetëm 1.6 milionë, siç njoftoi të enjten Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Tutje në artikull theksohet se “Shqiptarët përbëjnë rreth 90 për qind të popullsisë, kurse serbët etnikë pak më shumë se tre për qind”.

Duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Der Spiegel shkruan se “informacioni për serbët bazohet në vlerësime të përafërta, pasi shumë prej tyre kanë bojkotuar regjistrimin”.

Në përgjithësi, regjistrimet e popullsisë në shumë vende të Ballkanit janë një çështje delikate, vlerëson revista.

“Rënia e lindjeve, migrimi masiv dhe tensionet etnike e bëjnë të vështirë përcaktimin e shifrave të sakta të popullsisë”, theksohet në artikull.

“Kosova, me shumicë shqiptare ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Megjithatë, Beogradi zyrtar ende nuk e ka njohur si shtet, ndërsa në veri të Kosovës ende ka konflikte të përsëritura me minoritetin serb që jeton atje”, përfundon artikulli.

Exit mobile version