Deputetja nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi ka kërkuar që organet e rendit të përshpejtojnë procedurat lidhur me pezullimin e punës së disa OJQ-ve nën dyshimin për nxitje të ekstremizmit fetar.
Ajo ka thënë para deputetëve se ka dy vite që kur qeveria ka pezulluar punën e këtyre OJQ-ve.
“Ftoj organet që të përshpejtojnë punën e tyre dhe të tregojnë për secilën OJQ se a ka pasur të bëjë me ekstremizmin fetar”, ka thënë Demi.
Ne vazhdim mund ta lexoni fjalimin e plote te deputetes Demi-Murtezi:
Tashmë dy vite Qeveria e Republikës së Kosovës ka pezulluar punën e disa OJQ-ve në qytete të ndryshme të vendit, me dyshimet për veprimtari dhe nxitje të ekstremizmit të dhundhëm fetar. Pa specifikuar çështjet konkretisht, të gjitha këto OJQ vazhdojnë të mbeten të pezulluara, edhe përkundër transparencës së treguar nga ana e tyre.
Kur them transparencë, e kam fjalën konkretisht për OJQ-në AKEA, e cila i është drejtuar edhe gjykatës për vlerësim të padrejtë të punës së tyre, karshi Ministrisë së Administratës Publike, ngase vendimi për pezullim ka ardhur nga kjo ministri. Ky vlerësim i padrejtë sipas tyre dhe është shumë i logjikshem për ne, ngase Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsimim-AKEA, veprimtarinë e saj e ka të rregulluar me ligjet dhe rregulloret përkatëse në fuqi, ndërkaq veprimtarinë e saj në fusha të ndryshme kulturore e edukative, gjithmonë e ka artikuluar përmes figurave të vendit, shpeshherë të përcjellura edhe nga ministra të qeverisë sonë.
Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar ligjin për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të vendit tonë në luftëra dhe konflikte të armatosura. Me këtë ligj dhe mbi këtë bazë tashmë duhet të qartësohen argumentet për fuqizim të dyshimeve të ngritura për këto veprimtari, ose të tërhiqet ai pezullim i cili po i mban peng OJQ-të, përkatësisht shoqërinë civile.
Vendi unë dhe asnjë vend tjetër, nuk e ka luksin të ofendojë e humb kuadro të asnjë lëmie, por duhet të ofrojë bashkëpunim me individë intelektualë e shoqëri civile, sa herë që shfaqet nevoja për një plan konkret ose plan kombëtar.
Tashmë Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyrtarët e Agjensionit të Inteligjencës së Kosovës, kanë deklaruar zyrtarisht se gjendja e sigurisë në këtë aspekt është në nivel të lartë. Andaj në sensin e vazhdimit të kultivimit të tolerancës së dëshmuar fetare dhe lirive e të drejtave të çdo individi pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, gjinore e fetare, ftoj organet e drejtësisë që të përshpejtojnë punën e tyre, dhe të bëjnë publike vlerësimet përkatëse konkrete.
Nuk ka mbetur njeri pa thënë deri më tani se terrorizmi nuk njeh as komb, as fe. Andaj nga organet kompetente kërkoj edhe një herë që procedurat të mos zvarriten, tashmë karshi bazës sonë ligjore të lartpërmendur.