Në kohën kur kanë mbetur edhe dy ditë nga mbajtja e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, për ratifikimin e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, partnerët e koalicionit qeverisës janë në fushatë për t’i bindur deputetët e tyre për të votuar ‘pro’ marrëveshjes.
Insajderi ju sjellë foto ekskluzive nga takimi i djeshëm në Gjilan mes kryetarit të Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani dhe deputetes së vetme të kësaj partie në Kuvend, Labinotë Demi-Murtezi.
Gazeta Insajderi ka biseduar me deputeten Demi-Murtezi, e cila e ka konfirmuar takimin. Ajo ka thënë se takimi ka qenë i zakonshëm, në të cilin janë diskutuar plot tema aktuale.
Brenda diskutimit ajo thotë se shefi i partisë, ndër tjera, i ka kërkuar që ta rishqyrtojë vendimin e saj kundër Demarkacionit.
Por siç duket, deputetja Demi-Murtezi është e vendosur. Thotë se ka vendosur të jetë kundër kësaj marrëveshjeje.
“Ka kërkuar (Feridi) ta mendoj, ta rishikoj, dhe t’i kem parasysh të gjitha gjërat që nga fillimi. Ka kërkuar që të kem konsideratë për vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit, për prononcimet e Presidentit (Barak Obama), zëvendëspresidentit (Joe Biden), krejt me radhë. Ka qenë takim rreth dy orë e ma tepër”, ka thënë deputetja Demi-Murtezi për Gazetën Insajderi.
“Jo mendjen kur e vendosi njëherë, s’ka nevojë të thyhet ajo. Ne kemi diskutuar në përgjithësi, për do gjana në parti edhe për këtë punën e demarkacionit edhe i kemi bërë matjet, çka nëse votohet, çka nëse nuk votohet, këso gjanash. Nuk ka qenë ndonjë tentativë me ma thy mendjen, kemi fol lirshëm”, ka shtuar ajo.
E pyetur nëse votimi i saj kundër demarkacionit, a do t’i kushtojë më shkarkim nga partia, deputetja ka thënë se kjo çështje nuk është diskutuar në tavolinë.
Por një gjë ajo e ka të qartë, se nuk i bie pishman për vendimin që e ka marrë.
“Nuk jam pishman”, ka thënë shkurt ajo, duke shtuar se partia e di shumë mirë qëndrimin e saj.
Nga fotoja shihet se në takim kanë qenë edhe Selvete Shurdhani – kryetare e degës së PD-së në Gjilan, dhe Qemail Hasani, anëtar i kryesisë së partisë.