Deputeti gjerman: Sulmi terrorist në Zubin Potok ishte në stilin rus, kërkohet inteligjencë e plotë

ARCHIV - Thomas Hacker (FDP) spricht bei einer Plenarsitzung im Deutschen Bundestag. Foto: Bernd von Jutrczenka/dpa/Archiv

Deputeti në Bundestagun gjerman, Thomas Hacker ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër -Lepencit në Zubin Potok, për të cilin tha se është në stilin rus dhe se nevojitet hetim i plotë për vënien para drejtësisë të përgjegjësve.

Ai ka shkruar në X se është turp që organizatori i agresionit në Banjskë, Milan Radojiçiq është ende duke shijuar lirinë e tij në Serbi.

“Sulmi terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës është i ngjashëm me veprimet ruse në Ukrainë. Ky sulm i poshtër kërkon inteligjencë të plotë”, ka shkruar ai.

Pas sulmit në kanalin që furnizon KEK-un me ujë, kanë reaguar autoritetet vendore e ambasadorët e QUINT-it.

Përveçse e dënuan sulmin, ambasadorët shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për Kosovën dhe kërkuan që autorët e sulmit të dalin sa më shpejt para drejtësisë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti thirri konferencë urgjente, e më pas u takua me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm u mblodh edhe Këshilli i Sigurisë.

Sulmi në Banjskë u cilësua akt terrorist, i orkestruar nga Serbia.

Ndërsa sot gjatë ditës kryeministri Kurti ka njoftuar se lidhur me këtë sulm ka të arrestuar dhe prova materiale. Sipas tij, kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të përballen me fuqinë e ligjit.

Deri më tash Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë 10 të dyshuar, ndërsa ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të armëve dhe municionit ushtarak.