Deputetët pro dhe kundër buxhetit 2017

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot mbajti seancën e rregullt ku në rend të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili bëri prezantimin e Projektligjit për Buxhetin për vitin 2017 tha se përkundër gjithë ecurive pozitive, kanë shumë sfida që të adresohen. Ai bëri të ditur se ky buxhet ka pajtueshmërinë e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ministri po ashtu theksoi se trendi i rritjes ekonomike në Kosovë është më e larta në rajon dhe theksoi se sipas parashikimeve, me ligjin për Investime Strategjike dhe me Ligjin për Trepçën ky trend pritet që në vitin 2017 të ketë një normë së paku apo të jetë edhe më e lartë prej vlerës 4.4 përqind të rritjes.

Duke bërë prezantimin e projeksioneve të të hyrave dhe të shpenzimeve, ministri Hoti tha se “Të hyrat e rregullta buxhetore për 2017 janë planifikuar të jenë 1 miliardë e 725 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 6 përqind në raport me këtë vit dhe është një rritje prej 28 përqind duke e krahasuar me fillimin e mandatit të kësaj Qeveria. Kjo rritje ka ardhur 95 përqind nga rritja e të hyrave të rregullta buxhetore të mbledhura nga tatimet vendore nga administrate tatimore dhe nga doganat të cilat në këto dy vite kanë mbledhur 380 milionë euro më shumë sesa atë më përpara”.

Sa i përket shpenzimeve për vitin 2017, Hoti bëri të ditur se propozim buxheti parashesh shpenzime prej 2 miliardë eurosh, një rritje prej 38 përqind krahasuar me fillimin e mandatit të kësaj Qeverie. Ai foli edhe për projektet që planifikohen për vitin e ardhshëm në shëndetësi, arsim, infrastrukturë rrugore dhe sportive, trashëgiminë kulturore, bujqësi, ambient si dhe në fusha të tjera të shumta.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa tha se ky buxhet tregon përkushtimin për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ai shtoi se buxheti në bashkërenditje të përbashkët me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare. Ai po ashtu theksoi se për vitin e ardhshëm pritet që Kosova të ketë një trend të rritjes ekonomike më të lartë se sa që ishte ai i vitit 2016 me 4.1 përqind.

“Përmes këtij buxheti për herë të parë me mbi 2 milliardë euro Qeveria synon ta rrisë investimin në fushën kapitale me mbi 700 milionë euro ose mbi 45 përqind për vitin e ardhshëm në krahasim me atë që kemi pasur për këtë vit. Ne vlerësojmë se këto investime do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit. Rritja e investimeve kapitale do të përkrahet nga huamarrja, por rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është mjaft e lartë apo dyfish më e madhe se sa borxhi publik, prandaj kjo situatë në asnjë rast nuk e rëndon ngarkesën e PBB-së me borxhin publik”, tha Mustafa.

Ndërkaq, Visar Ymeri, kreu i partisë më të madhe opozitare Lëvizjes Vetëvendosje tha se asgjë nuk po ndryshon në politikat qeveritare, karshi zhvillimit ekonomik. Duke vënë në dukje se ekonomia e Kosovës nuk ështu duke u zhvilluar dhe se ajo është jashtëzakonisht e dobët, Ymeri theksoi se Qeveria po përdor hapësirën e mashtrimit me numra.

“Ky buxhet kur shikohet me vëmendje, flas për pjesën e të hyrave, është megjithatë buxhet që i varfëron qytetarët e Republikës së Kosovës. Zbërthimi i tatimeve që mblidhen në Republikën e Kosovës e tregon këtë më së qarti. Pra, për vitin 2017 nga të ardhurat në korporata do të mblidhen 84 milionë euro, nga të ardhurat personale 135 milionë euro, ndërkohë nga tatimi në vlerë të shtuar 748 milionë euro”, tha Ymeri.

Sipas tij, kur shikohet hollësisht se si kjo Qeveri synon t’I financojë shpenzimet prej 2 miliardë eurosh shihet se ky buxhet nuk duhet të kalojë.

Ndërkohë, pas një pushimi në Kuvend po vazhdohet debatimi për Buxhetin për vitin 2017. Kurse deputetët e Kuvendit vendosën që edhe leximi i dytë i projekt-buxhetit për vitin 2017, të bëhet sot në një seancë tjetër plenare.