Ballina Lajmet Kosovë Deputetët e VV-së nuk duan të amnistohen

Deputetët e VV-së nuk duan të amnistohen

“Nuk na duhet asnjë lloj amnistimi sepse nuk mbajmë asnjë përgjegjësi penale. Veprimet tona kanë qenë veprime politike”, kështu është shprehur në një prononcim për ‘Indeksonline’, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Deputetët e opozitës, sipas saj, e kanë kryer punën në përputhje të plotë me nenin 74 të Kushtetutës dhe betimin e deputetit. Dhe siç thotë ajo fare nuk i druhen dënimeve eventuale politike.

Ajo kërkon nga gjykata, sidomos pas seancës se një shtatorit të heq dorë nga aktakuza dhe të pushohen hetime siç thotë ajo politike kundër deputetëve opozitar.

“Lufta speciale e organeve të ashtuquajtura të drejtësisë, është luftë me tendencë të eliminimit politik, e që vjen me urdhra të klanit Pronto”, ka shtuar Haxhiu.

Tutje, deputetja e VV-së thotë se gazi lotsjellës nuk po përdoret me në Kuvend për faktin se demarkacioni dhe marrëveshja për asociacionin kanë vdekur dhe përdorimi i gazit sipas saj, ka pasur rol të rëndësishëm.

Qeveria, sipas saj, nuk guxon të tentoj ngjalljen e asaj marrëveshje që i falë mbi 8200 ha, Malit të zi.

Haxhiu ka folur edhe për seancën e djeshme, e cila u shty për shkak të mungesës se Albin Kurtit dhe disa deputeteve të PDK-së të cilët kanë pasur për të dëshmuar.

“Në shkurt të këtij viti, ne kemi paraqitur dy kërkesa. Kërkesa për hedhje poshtë të aktakuzës dhe atë për kundërshtim të provave. Padrejtësisht gjyqtari ka refuzuar këto kërkesa duke dëshmuar edhe njëherë që njerezit e këtij sistemi janë në shërbim të plotë të Pronto qeverisë dhe roli i tyre, gjatë gjithë kësaj kohe ishte ruajtja e pushtetit kriminal të tyre”, ka përfunduar Haxhiu.

Deputetët e opozitës kishin penguar zhvillimin e seancave për 8 muaj radhazi duke hedhur gaz lotsjellës. Seanca e fundit në të cilën është përdorur gazi është seanca kur është zgjedhur president i vendit, Hashim Thaçi.

Exit mobile version