Ballina Lajmet Kosovë Deputetët e AAK-së dhe Nismës, rrezikojnë t’i humbin mandatet në Legjislativ

Deputetët e AAK-së dhe Nismës, rrezikojnë t’i humbin mandatet në Legjislativ

Deputetët e opozitës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, ka gati gjashtë muaj që nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Analistët vlerësojnë se pjesëmarrja e deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës është obligim juridik dhe se rikthimi i tyre është interes personal.

Analisti Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se deputetët e këtyre dy partive nuk është dashur fillimisht të largohen nga Kuvendi, por të provojnë që qëllimet e tyre t’i realizojnë brenda Legjislativit.

“Kur vjen puna te humbja e mandatave, deputetët nuk e lejojnë një gjë të tillë, ngase i humbin përfitimet e privilegjet. Duke e ditur se çfarë lufte bëhet për të fituar një post deputeti, është absurde të pritet që, për shkaqe parimore, ata të heqin dorë nga mandatet”, ka thënë ai.

Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thekson se deputetët që e kanë bojkotuar punën e Kuvendit për gati gjashtë muaj, gjenden para një dileme: të vazhdojnë të mos marrin pjesë në punimet dhe të humbasin përfundimisht mandatin e tyre si deputet, apo të fillojnë të marrin pjesë në mbledhjet e ​Komisionit apo në seanca e të mbesin përfaqësues të popullit.

“Një gjë nuk bën të harrohet: ndonëse deputeti është i lirë në ushtrimin e mandatit të tij, qytetarët e kanë zgjedhur që t`i përfaqësojë ata, ndaj pjesëmarrja e rregullt në këto punime paraqet një obligim juridik”, thotë ai.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas gjashtë muaj mospjesëmarrjeje në punën e Kuvendit, deputeti humb mandatin nëse nuk arrin që ta argumentojë mungesën e tij.

Neni 25, paragrafi E, thotë: “Nëse në periudhën gjashtëmujore deputeti nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit, nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen kryetarit të Kuvendit, kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës” (sic.).

Edhe në Ligjin e Republikës së Kosovës Nr.03/L-111, ‘Për të Drejtat dhe Përgjegjësit e Deputetit”, në nenin 8 sqarohet përfundimi i mandatit. Në pikën 1.5 thuhet: “Mandati i Deputetit/es përfundon para kohe nëse deputeti/ja për 6 muaj nuk merr pjesë në sesionet plenare të Kuvendit ose në mbledhjet e komisioneve, ku është anëtar/e. Në raste të veçanta, Kuvendi mund të vendosë ndryshe” (sic.).

Për dallim nga deputetët tjerë në AAK dhe te NISMA, deputeti i kësaj të parës, Daut Haradinaj, është rikthyer në krye të Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Exit mobile version