Përshtatja me jetën pas universitetit mund të jetë diçka sfiduese dhe e vështirë për disa të rinj. Ka gjasa që teksa lexoni këtë shkrim, të jeni në prag diplomimi, ose të sapo jeni diplomuar, ose ndoshta mund të keni vite që keni mbaruar universitetin, por mund t’ju vijë ndërmend periudha e vështirë që mund të keni përjetuar pas përfundimit të tij.
E nëse sapo jeni diplomuar dhe po hasni vështirësi, mund t’ju ndodh të mendoni “Po tani çfarë?”
Ndiheni të pamotivuar, të stresuar, të mërzitur e sikur nuk dini çfarë të bëni me jetën tuaj tashmë që shkolla mbaroi?
Referuar një artikulli në Medical News Today, depresioni pas diplomimit përshkruan simptomat depresive që shfaqen pasi një individ përfundon kolegjin apo universitetin. Edhe pse ky nuk është një term i njohur nga ana mjekësore, është një eksperiencë që shumë të rinj mund të gjejnë veten.
Dakord, ndoshta do të keni dëgjuar shpesh frazën “Nuk ke nisur jetën akoma. Gjërat do të rregullohen.” Ndoshta mund të hasni shpesh edhe pyetjen nga të afërm dhe të panjohur “Po punë kur do nisësh?” Periudha e përfundimit të shkollës në vetvete është një periudhë tranzitore që mund të shoqërohet me vështirësi për t’u përshtatur me jetën, vështirësi për të gjetur punë apo edhe për t’u përshtatur në punën që mund të keni nisur aktualisht. Periudha pas përfundimit të universitetit, mund të shoqërohet edhe me vështirësi financiare për disa individë apo edhe një paqartësi për të vendosur për vendimet personale dhe profesionale që të rinjtë duhet të ndërmarrin lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e tyre.
E kuptueshme që të gjitha këto aspekte mund t’ju shqetësojnë apo dhe bezdisin, megjithatë jeni ju që mund të vendosni për veten tuaj dhe të ndryshoni jetën tuaj.
Ju sapo jeni diplomuar dhe është mëse OK që në disa momente të ndiheni të paqartë lidhur me të ardhmen tuaj. Fundja e ardhmja është një dhuratë dhe ju mund të përpiqeni për ta bërë atë më të bukur dhe të realizoni ëndrrat tuaja.