Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Deportimi i emigrantëve do të rritet, thotë Ursula von der Leyen

Deportimi i emigrantëve do të rritet, thotë Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku mund të “nxjerrë mësime” nga politika e kontestuar italiane e trajtimit të emigrantëve në det të hapur në Shqipëri, përpara një samiti të BE-së me fokus migracionin.

Ajo i bëri komentet në një letër drejtuar vendeve anëtare përpara takimit në Bruksel të enjten dhe të premten, ku tha se Komisioni Evropian do të paraqiste një propozim të ri për legjislacionin për rritjen e dëbimeve të emigrantëve.

Në letrën e saj drejtuar vendeve anëtare, ajo ka thënë se shkalla e kthimit të migrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20%, që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që janë urdhëruar të largohen nga një shtet anëtar i BE-së nuk e bëjnë këtë.

“Shumë thjesht qëndrojnë në vend ose lëvizin në një vend tjetër brenda bllokut”, ka deklaruar von der Leyen e cila sapo e ka nisur një mandat të dytë në krye të BE-së.

Shtetet anëtare duhet të njohin të gjitha vendimet e marra nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar që “migrantët që kanë një vendim kthimi kundër tyre në një vend, nuk mund të shfrytëzojnë çarjet në sistem për të shmangur kthimin diku tjetër”, ka shkruar Von der Leyen.

Komentet e saj vijnë pasi Italia nisi skemën e saj të shumëpritur, sipas së cilës disa nga emigrantët e shpëtuar në Mesdhe po dërgohen në Shqipëri.

Në fillim të kësaj jave, 16 burra me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti u zhvendosën nga zona e emigrantëve në Lampedusa, në brigjet e Siçilisë, në një nga dy qendrat e ndërtuara me qëllim në bregdetin shqiptar, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Exit mobile version