Cristiano Ronaldo është dënuar me dy ndeshjes moslojë pas veprimeve që bëri në kundërpërgjigje të tifozëve të Al-Shababit që thërrisnin emrin e Messit. Komisioni Disiplinor dhe Etik i Federatës së Futbollit të Arabisë Saudite e dënoi Ronaldon për “sjellje të papërshtatshme”.
Tifozët e Al-Shababit provokuan Ronaldon nga tribuna duke bërtitur emrin e Messit, në ndeshjen ndaj Al-Nassr.
Fillimisht Ronaldo reagoi duke i vënë dorën në vesh, sikur nuk i dëgjonte, por në një moment humbi durimin dhe bëri gjest të pahijshëm drejt tyre, shkruan Marca.
Al-Nassr mposhti 3:2 në udhëtim Al-Shababin.
Ronaldo ka mundësi ta apelojë vendimin dhe më pas do të merret verdikti përfundimtar.
Por do të jetë e vështirë që pezullimi t’i hiqet. Portugezi do të mungojë në ndeshjet e kampionatit saudit kundër Al-Hazem dhe Al-Raed.