Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit F.P., lidhur me rastin “AlbKings”.
Sipas njoftimit i akuzuari F.P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit e nëntë muaj burgim dhe me gjobë në shumë prej pesëmijë euro.
Po ashtu bëhet e ditur se i është konfiskuar telefoni ‘Techno park’ ndërsa i është kthyer telefoni ‘samsung’ i dëmtuar, i sekuestruar sipas urdhrit ndalues përfundimtar të datës 01.07.2024.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Penal, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit F.P., i akuzuar për shkak të veprës penale Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve dhe veprën penale Shantazhi. I akuzuari F.P. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një (1) viti e nëntë (9) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet ne afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, koha e kaluar nën masën e paraburgimit si dhe koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak për të akuzuarin F.P., do të llogaritet në dënimin e shqiptuar, po ashtu i akuzuari F.P. është dënuar edhe me dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë (5000) euro, të cilin dënim është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Është konfiskuar telefoni ‘Techno park’ pronë e të akuzuarit F.P., kthehet telefoni ‘samsung’ i dëmtuar, të pandehurit F.P., i sekuestruar sipas urdhrit ndalues përfundimtar të datës 01.07.2024″, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se i akuzuari F.P. në vazhdimësi nga muaji shkurt i vitit 2023 e deri në muajin maj 2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e tij përmes telefonit personal “Techno Park” , në cilësi të administratorit kryesor në grupet “Albkings” dhe “Vip Albania” dhe në grupe të tjera, në aplikacionin Telegram, me nofkën “Lideri” e duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurën E. S., me nofkën “Liderja”, me qëllim të denigrimit të viktimave të gjinisë femërore nga qytete të ndryshme të Kosovës, ka shpërndarë dhe ka lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë (anëtarë të grupit) në grupet e krijuara nga i akuzuari, pa autorizim fotografi dhe video të ndjeshme të 12 viktimave si dhe të dhënat personale siç janë numrat e telefonave, emrat dhe mbiemrat dhe kredencialet e tjera të këtyre të dëmtuarave.
“Po ashtu, në vazhdimësi nga data 20.02.2024 deri më datë 20.05.2024 në Gjilan, përkatësisht nga banesa e përmes telefonit personal “Techno Park” me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për vete, duke shfrytëzuar gjendjen dhe pozitën e rëndë në të cilat janë gjendur viktimat e veprave penale, me qëllim që t’iu fshihen postimet denigruese nga grupi ku janë postuar, i akuzuari F.P. nga viktimat e veprave penale, familjarëve apo shoqërisë së tyre, ka kërkuar mjete monetare në shuma të ndryshme dhe pagesat i ka pranuar në valutën dollarë përmes ‘PayPal’ në formë të kripto valutave – para digjitale, në llogaritë e tij me userat ‘albkings23@gmail.com’,‘argeusargeus@gmail.com’, ‘albkingsvip@gmail.com’ dhe ‘albkings019@gmail.com’, e të cilat më pas i ka konvertuar në para fizike në pikën e ExCoins në Gjilan, me ç’rast ka përfituar vlerën monetare në shumë totale prej 2,344.44. Obligohet i pandehuri F.P. që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 100 euro, ndërsa ne emër te fondit të viktimave te krimit të paguaj shumën prej 20 euro, në afat prej 15 ditësh, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest të rregullt civilo – juridik. Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.