Ish-ministrat e Kulturës Astrit Haraqija e Valton Beqiri dhe producentët filmikë u dënuan sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Astrit Haraqija e Valton Beqiri u dënuan me nga një vit burg me kusht për shpërdorim detyre.
Dënim i njëjtë- nga një vit burg me kusht iu shqiptua nga gjykata për mashtrim në detyrë edhe producentëve filmikë Armond Morina e Nehat Fejza.
Haraqija, Beqiri, Morina e Fejza mund të shkojnë në burg në vuajtje të dënimit nëse brenda dy vjetëve kryejnë vepër tjetër penale.
Gjykata në Prishtinë përveç dënimeve me kusht, obligoi Armond Morinën t’ia kthejë Ministrisë së Kulturës 100 mijë euro, ndërsa Nehat Fejza duhet t’ia kthejë kësaj ministrie 188 mijë euro.
Vendimin e gjykatës e komentoi pas shpalljes ish-ministri Astrit Haraqija.
“Unë e respektoj vendimin, por këto janë lojëra politike. Por ata nuk do të mund të më ndalin,” tha Haraqija.