Atletico Madrid dhe Real Madrid luajtën baras 1-1 në derbin e javës së tetë në elitën e futbollit spanjoll.
Si çdo herë tjetër, as kësaj radhe nuk munguan polemikat, vendimet e diskutueshme dhe acarimi i tifozëve.
Fillimisht në epërsi kaluan mysafirët të cilët ia dolën të shënojnë me Eder Militaon në minutën e 64-të pas asistimit të Vinicius Junior.
Të besuarit e Diego Simeones arritën që të barazojnë shifrat në minutën e 95-të ku pas një shpërqendrimi të mbrojtjes mysafire, Angel Correa ia doli të realizojë për 1-1.
Sidoqoftë, ajo që mori më shumë vëmendjen ishte fakti se ndeshja u ndërpre në minutën e 70-të shkaku i gjësendeve që tifozët hodhën në fushë në drejtim të Thibaut Courtois.
Fakti që portieri belg festoi përballë tyre golin që shënoi Real Madridi, i acaroi tej mase turmën në ‘Estadio Metropolitano’, duke detyruar gjyqtarin që ta ndërpresë përkohësisht ndeshjen.
Tani, gazeta spanjolle Marca ka raportuar për dënimin me të cilin do të përballet me shumë mundësi ekipi vendas.
Sipas rregulloreve të futbollit spanjoll, incidentet e tilla dënohen me 2 deri në 3 ndeshje mbyllje të një sektori të caktuar të tifozëve, në këtë rast tribuna mbrapa portës.
Atletico Madridi do të paraqesë para Komitetit të Garave dëshmitë në favor të tyre, por që me gjasë vendimi që do të merret nuk do të jetë në favorin e tyre.