Demolohet shtëpia e kandidatit të VV-së për deputet (Foto)

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, ka bërë të ditur se dje në mesditë është sulmuar shtëpia e tij.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një publikimi në “Facebook”, në të cilin ka shkruar se këto pamje i kujtojnë veprimin e Policisë politike të Serbisë në vitin 1983, kur e kishin arrestuar për herë të tretë. Ramabaja njëkohësisht ka thënë se nuk do të ndalet së vepruari politikisht.

Lexoni të plotë njoftimin e tij:

Sot në mesditë demolohet shtëpia ime

Pamjet dhe demolimi ma kujtuan veprimin e policisë politike të Serbisë në vitin 1983, kur më kishin arrestuar për herë të tretë.

Cak i urrejtjes së këtyre tipave që Policia ka gjasa t’ i cilësoj si hajna ordiner, kishte qenë biblioteka dhe tavolina e punës.

Duket që urrejtja është zbrazur pikërisht në atë dhomë pune, ku është përfunduar studimi voluminoz “Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE” dhe ku janë shkruar e kanë marrë rrugën e publikimit me dhjetra e qindra analiza të miat të publikuara në mediat tona dhe jashtë.

Sidoqoftë, ne nuk do të ndalemi së vepruari politikisht.

Në ora 21.00 sërish isha në tubimin e radhës me qytetarët e lagjes Mati 1.

Nesër dhe në ditët në vijim do të vazhdojë punen e pandalshme politike.

Republika do të bëhet!