Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, raportoi sot para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.
Demolli tha se që nga miratimi i Ligjit për Forcën e Armatosur të Kosovës, Ministrisë së FSK-së i duhen 10 vjet tranzicion për të përfunduar procesin e themelimit të FAK-ut.
Ministri përmendi të gjitha arritjet e kësaj Ministrie në këtë drejtim, ndërsa tha se buxheti për vitin e ardhshëm për FSK do të jetë 51 milionë e 35 mijë euro, raporton Kosovapress.
Demolli, gjatë raportimit tha se ka marrë përkrahje të plotë nga Qeveria për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri.
Ai tha se pasi të ndodhë transformimi, Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) do të respektojnë elementin gjinor dhe do të jetë multietnike.
“Ushtria do të jetë jo voluminoze, por bashkëkohore dhe do të jetë sipas kritereve të NATO-s, nuk do të paraqes asnjë shqetësim në regjion. Do të respektojë elementin gjinor dhe do të jetë multietnike”, tha Demolli.
Ai tha se FSK-ja ka kadetë që po shkollohen në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Turqi, Kroaci e Maqedoni.
Demolli theksoi se për herë të parë KFOR-i ka ftuar kadetët që të marrin pjesë në ushtrime ushtarake.