Shteti i ri i Kosovës, i brishtë dhe akoma jo shumë funksional, vazhdon të konsiderohet si një vend në të cilin demokracia dhe drejtësia janë ashpërsisht të kapura nga një grup mafio-oligarkësh e matrapazësh politikë, të cilët jo vetëm që zotërojnë politikën në të gjitha nivelet, por njëkohë- sisht zotërojnë dhe sundojnë edhe ekonominë e drejtësinë dhe e kanë arritur këtë përmes blerjes e manipulimit të votës së qytetarëve te varfër e të pashpresë.
Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se në Kosovë vetëm thuhet se ka demokraci, po në fakt ajo ekziston vetëm në letër, sepse në praktikë nuk po funksionon.
“Ne e dimë se demokracia dhe shteti ligjor kërkon ndarje të ashpër të pushteteve. E, me këtë kuptoj ndarjen e pushtetit legjislativ nga ai gjyqësor dhe ekzekutiv. Pikërisht në këtë anë demokracia është shkatërruar. Pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor janë vetëm në letër pushtete të Kuvendit, por në fakt mbi to e ushtron pushtetin e vet ekzekutivi, e në këtë pozitë janë subjektet politike të përfaqësuara nga shumë njerëz të inkriminuar dhe oligarkët e pushteti, të cilët në emër të demokracisë e kanë pushtetin absolut në vend”, theksoi ai.
“Këta diktatorë të tillë kanë ndërtuar sistem të tillë votimi, ku oligarku, përkatësisht kryetari i subjektit, nëpërmjet të sistemit një njeri pesë vota e përcakton se kush duhet të shkojë edhe në Kuvend. Po të marrim deputetët e tashëm shihet se si ka ndikuar në dobësimin e kualitetit në Kuvend. Aty kemi deputetë, për të mos thënë dhe analfabetë, po të padijshëm gjithsesi, sepse ata vijnë nga struktura e shërbimeve ndaj autoritarëve, sikurse ka qenë shërbimi i LDK-së dhe i PDK-së, ndoshta edhe të subjekteve të tjera”, ka pohuar Kelmendi.
Edhe prof. Riza Smaka konsideron se në vendit tonë fare pak mund të flitet për demokracinë.
“Përderisa Qeveria e dirigjon Kuvendin, gjë që do të duhej të ishte e kundërta, në vendin tonë nuk ka demokraci, por autokraci të një grupi oligarkik të korruptuar në të gjitha dimensionet. Qeveria e mangët në argumente kompensohet me metodat e teknikat e paskrupullta të korrupsionit, ndër të tjera duke ia imponuar Kuvendit të njëjtën çështje më parë të vendosur nga ai, Kuvendi, që në kundërshtim me të drejtën, ta rivendosë, por sipas dëshirës së saj”, tha Smaka për “Kosova Sot”.
Gjykim aspak më të butë nuk ka as analisti Blerim Burjani. Ai thotë se demokracia dhe shteti janë pjesë ekskluzive e kësaj klase politike të kriminalizuar, sepse shteti u duket kompani publike për të vjelë privilegje dhe për të bërë pasuri.
“Pushteti shërben për të kënaqur vetëm apetitet për punësim familjar dhe partiak, duke keqpërdorur me të madhe autorizimet e dhëna. Ndryshimi mund të vijë vetëm nëse elektorati këndellet seriozisht, qytetari duhet të zgjohet nga ankthi, të mos votojë më këtë kategori njerëzish përfitues për familjet e tyre, për miqtë e partiakët. Përfundimisht kjo demokraci u prish në saje të pangopjes për pushtet dhe për të zgjidhur problemet e veta familjare”, tha Burjani.
Sipas tij, alternativa është bota intelektuale e bashkuar me sektorin privat, me ata të cilët kanë dëshirë të merren me politikë.
Pushtetarët po bëjnë shkelje
Nga ana e analistit Jeton Kelmendi, niveli i shkeljes së shtetit mbi çdo normë demokratike është konstatuar me rastin më të freskët të mospërfilljes nga pushteti të vullnetit qytetar për kundërshtinë e marrëveshjeve të dëmshme, që u artikulua me një peticion me përmasa referendumi popullor, kundër Demarkacionit dhe Asociacionit.
“Pra, u pa që Demarkacioni është një çështje tejet e dhimbshme, sepse është gabuar nga Komisioni qeveritare dhe janë tjetërsuar mbi tetë mijë hektarë tokë e Kosovës. Realisht, ai kufi është më i dhimbshmi, sepse nuk ka kufi të larë me gjakun e shqiptarëve, si ai kufiri me Malin e Zi, që po cungohet e devijohet, prandaj është e natyrshme që, përveç interesave nacionale, është edhe një ndjenjë e rëndë emocionale kjo çështje. Nga ana tjetër, keqbërësit, pra Hashim Thaçi me kompani, tanimë po e dinë se çfarë faqe të zeze kanë bërë, si kanë shkelur mbi çdo normë demokratike dhe ndjenja patriotike, por nuk e pranojnë gabimin”, tha Kelmendi.
Ai ka pohuar se tanimë këto struktura politike e parapolitike të dirigjuara nga Hashimi, Isa dhe Kadriu kanë filluar të ndjejnë sadopak erën e përmbysjes, prandaj tani orvaten të bëjnë presione, duke gjetur aty- këtu edhe ndonjë zë ndërkombëtar gjithnjë në rënie për ta ratifikuar Demarkacionin dhe kjo bëhet me marrëveshje të fshehur nga Qeveria e Kosovës me atë të Malit të Zi, për të mos e penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, shkruan Kosova Sot.