Bordi i “Pulitzer”-it nuk kishte dyshime: çmimin e madh të vitit ia kaloi njëzëri hetimit mbi zotimet e Donald Trumpit në kauzat e bamirësisë gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Artikujt e reporterit të “Washington Post”, David Fahrenthold, krijuan sipas tij një model për gazetarinë e transparencës dhe hodhën hije dyshimi mbi pretendimet e bujarisë së miliarderit të kthyer në president.
Gazetari nisi të ngrejë pyetje, kur republikani premtoi t’i dhuronte 6 milionë dollarë organizatave të veteranëve ushtarakë, e më pas zbuloi se ato zotime nuk ishin përmbushur, ndërsa shumë pretendime të mëhershme për aktivitete filantropike të tij ishin ekzagjeruar qëllimisht.
Fahrenthold nxori po ashtu në dritë edhe komentet ofenduese të Trumpit mbi gratë në regjistrimin e vitit 2005. Në mesin e fituesve të tjerë të çmimeve “Pulitzer”, më prestigjiozet e dhëna në gazetarinë amerikane, ishin “The New York Daily News” dhe “ProPublica”, një platformë “online” e specializuar në gazetarinë investigative.
Arsyeja e këtij shpërblimi ishte evidentimi i abuzimeve policore me rregullat e riatdhesimit, që detyruan qindra vetë, kryesisht persona të varfër dhe pjesëtarë të minoriteteve etnike, të braktisnin shtëpitë e tyre.
Daniel Berehulak siguroi një “Pulitzer” për fotot e tij nga lufta kundër drogës në Filipine. Stafi i “New York Times” mori çmimin e raportimit ndërkombëtar për shkrimet e tyre mbi përpjekjet e Vladimir Putinit për të projektuar fuqinë ruse jashtë kufijve, ndërsa konsorciumi ndërkombëtar i gazetarëve investigativë, “Miami Herald” e “Süddeutsche Zeitung” u vlerësuan me çmimin e raportimit shpjegues për ekspozimin e skandalit të “Panama Papers”.