Dy ditë para se të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të votohet për ratifikimin ose jo të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, partitë në pushtet dhe ato opozitare mbeten në pozicione të skajshme kundërshtuese rreth kësaj çështjeje.
Ekspertët e të drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se në rast se marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi, kalon me 80 vota, gjegjësisht, dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, marrëveshja do të ratifikohet, por hendeku i krijuar ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë nuk do të tejkalohet.
Në anën tjetër, sipas tyre, edhe në rast se për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin nuk sigurohet votat e mjaftueshme, hendeku ndërmjet partive politike në pushtet dhe opozitë, nuk do të tejkalohet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Univesitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deri me datën 1 shtator, kur mbahet seanca për votimin e marrëvshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kanë hapsirë për tu ulur dhe për të gjetur një konsensus politik, përfshirë edhe vendimin eventual që të ri-negociohet kjo marrëveshje.
“Fundja, marrëveshjet ndërkombëtare nuk janë rregulla të skalitura në gurë dhe të cilat janë të pandryshueshme. Ato mund të ndryshohen sa herë që njëra ose pala tjetër gjen fakte të reja ose eventualisht konstaton se marrëveshja e arritur paraprakisht, nuk është ajo për të cilën është synuar në fillim”.
“Ky do të ishte rasti sikur pushteti dhe opozita të pajtoheshin vetëm deri në momentin e votimit. Në momentin e votimit dhe nëse Demarkacioni nuk do të kalonte, mendoj se vendi futet në krizë politike dhe aty më nuk do të ketë më një opsion të ri, në kuptimin që ‘në rregull, ne nuk arritëm ta marrim shumicën, prandaj tash po ulemi dhe po gjejmë opsione të tjera’”.
Vigan Qorolli, poashtu, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjendja aktuale imponon pikëshikim të çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në situata hipotetike.
“Nëse i vërtetohet ky version i Demarkacionit qeverisë nga ana e 80 deputetëve, sepse duhen dy të tretat, atëherë kjo merr fund dhe rrjedhimisht nuk ka mundësi të negocimit të ri të kufijve. Por, nëse bie, me vota, atëherë patjetër që Mali i Zi do të detyrohet t’i negocioj kufijtë në forma tjera, për shkak se ky version bie poshtë me votë”.
“Qeveria e Kosovës, patjetër duhet t’i dërgojë një notë diplomatike Malit të Zi, ku e njofton që ajo nuk e ka ratifikuar në procedurë të rregullt kushtetuese, për shkak të problemeve që i ka politika me këtë demarkacion”.
Por, cilat janë mundësitë që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të arrijë deri te një arbitrazh ndërkombëtar?
Profesor Hoti thotë se, në stadin aktual, arbitrazhi nuk bën punë, për shkak se nivelet zyrtare të të dyja palëve, të Kosovës dhe Malit i Zi, nuk kanë dilema lidhur me këtë marrëveshje, por se problemi tashmë është bartë brenda vet palës së Kosovës dhe jo, të kësaj të fundit me Malin e Zi. Zgjidhja e problemit, sipas tij, duket se do të kërkojë disa faza.
Mendim të “Nën një, të gjendet një konsensus i brendshëm kombëtar se si duhet t’i qasemi kësaj problematike më tutje. Nëse kjo do të përkonte me situatën çfarë e kemi aktualisht me Malin e Zi, do të thotë, do të duhej që eventualisht të ratifikohej.
“Nëse do të arrihej në konkludimin se Demarkacioni aktual është jo i rregullt, atëherë do të duhej të iniciohej procedura e ndryshimit të kësaj marrëveshjeje.
“Por, nëse eventualisht nuk do të pajtohej Mali i Zi, atëherë do të mendonim për arbitrazhin dhe eventualisht, në instancën e fundit, të shkojmë edhe në gjykatën ndërkombëtare”, tha Hoti.
Mendim të përafërt ka edhe profesor Qorrolli. Sipas tij, në rast se marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, merr dy të tretat e votave të Kuvendit, atëherë ajo legalizohet dhe legjitimohet. Në të kundërtën, sipas tij, nuk përjashtohet as arbitrazhi ndërkombëtar.
“Rrjedhimisht do të duhet të ri-negociohet me metodologji tjetër. Kjo nënkupton që të respektohen maksimalisht rregullat e të drejtës ndërkombëtare mbi caktimin e kufijve. Pastaj, nëse kjo nuk ka mundësi të bëhet me mirëbesim, atëherë mund të jetë një procedurë që të dy palët, Mali i Zi dhe Kosova, ta dërgojnë çështjen në gjykatën e përhershme të arbitrazhit që është me seli në Hagë, të caktojnë juridiksionin, arbitrit dhe çdo gjë tjetër”.
Sidoqoftë, zyrtarët e qeverisë së Kosovës, patë theksuar se në projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, përmban edhe pjesë ku thuhet ‘nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. Me pajtimin e palëve për ndryshimin e dispozitave të Marrëveshjes, mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar”. (REL)